Trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, e ka cilësuar sfidën kthyese ndaj FC Europas si shumë të vështirë.
Tekniku prishtinas pasi arriti të sigurojë një barazim në udhëtim me ekipin e tij, u shpreh mjaft i qetë në konferencën për shtyp.
Edhe pse pritej një premtim për fitore, Josa u tregua i matur duke thënë se ekipi duhet të jetë i kujdesshëm që të mos pranojë gol.
“Do të jetë ndeshje e vështirë. Duhet të bëjmë kujdes, të kontrollojmë lojën dhe të mos pranojmë gol. Kjo është esenciale për të dalë në mënyrë të suksesshme nga kjo sfidë”, theksoi Josa në konferencën për shtyp.
Ndërkaq, Armend Dallku, kapiteni i Prishtinës, theksoi se i gjithë klubi është i bashkuar dhe i mobilizuar për t’u kualifikuar në mënyrë historike.
Prishtina dhe Europa FC takohen nga ora 19:00 në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.
Ndeshja e parë përfundoi me rezultat 1-1 në Gjibraltar dhe me një barazim pa gola kryeqytetasit do të siguronin kualifikimin në rrethin e parë të kualifikimeve të Europa League, aty ku i pret klubi Fola nga Luksemburgu, që po ashtu konsiderohet pengesë e kalueshme për nënkampionin e Kosovës. /Telegrafi/