Telegrafi

Josa i kënaqur me barazimin, Bekaj dhe Mankenda duan fitore në Mitrovicë

Trajneri i Prishtinës, Mirel Josa dhe dy futbollistët, portieri Visar Bekaj dhe mesfushori Gauthier Mankenda, janë ndarë të kënaqur me barazimin (0-0) ndaj klubit CS Fola.

Prishtina kishte rastet e veta në këtë takim, por që me këtë rezultat ka gjasa të mira për ndeshjen kthyese.

Trajneri Mirel Josa e sheh ndeshjen kthyese si më të vështirë, ndërsa thotë se në ndeshjen e parë kanë mundur të bëjnë edhe më mirë.

“Mund të bënim më mirë, por edhe mund të kishim probleme, kështu që duhet të jemi të kënaqur me këtë rezultat dhe normal që na interesonte mos të pësonim gol. Them se ndeshja e dytë do të jetë shumë herë më e vështirë se sa kjo”, deklaroi Josa.

Portieri Visar Bekaj që është një nga shtyllat e ekipit tash e një kohë, beson që rezultati i marr në Luksemburg do të jetë vendimtar për ndeshjen kthyese në Mitrovicë.

“Besoj që u ndamë mirë edhe pse kemi mundur t’i shfrytëzonim disa raste në fund që na u dha mundësia. E them që ishte ndeshje e mirë, të dy skuadrat luajtën kujdesshëm duke tentuar të ruanin portën pa pranuar gol e pastaj të bënin diçka më shumë përpara. Unë jam i kënaqur, është rezultat i kënaqshëm dhe shpresoj se në Mitrovicë do të kalojmë raundin, sepse na duhet fitorja gjithqysh”, deklaroi portieri.

Mankenda që kishte disa depërtime të bukur në këtë ndeshje thotë se me ndihmën e trajnerit do të kalohet raundi.

“Është e rëndësishme që arritëm rezultat pozitiv dhe besoj se për ndeshjen kthyese mund të bëjmë gjëra edhe më të mira, sepse mendoj se mund të fitojmë, por së pari me punën me trajnerin duhet përmirësuar ato gjëra që ndoshta nuk shkuan sot mirë, sepse ne kishim rast edhe sot të mbyllim ndeshjen, por në Mitrovicë do jetë edhe më mirë se sa sot”, deklaroi Mankenda.

Prishtina luan pas një jave në Mitrovicë në stadiumin ‘Adem Jashari’. /Telegrafi/