“Kërkoj që në Nish të vendoset shtatorja e Skënderbeut, edhe pse atje nuk ka shqiptarë. Sepse ky hero më 3 nëntor të vitit 1443, me 300 kalorës, shpëtoi serbët në Nish nga pushtuesit osmanë. Ai jo vetëm që ka shpëtuar shqiptarët, por edhe serbët”, ka thënë kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Jonuz Musliu për gazetën juznevesti.com.
Ai më pas ka thënë se serbet duhet ta mirëpresin këtë iniciativë për ngritjen e kësaj shtatoreje, pasi që, sipas tij, edhe në Mitrovicën e Veriut tashmë është vendosur shtatorja e Car Lazarit.
Musliu, pikërisht duke iu referuar figurës së madhe të Skënderbeut ka thënë se emir i tij tashmë është i vendosur në rrugë dhe sheshe të qyteteve të ndryshme, duke përfshirë Beogradin, Gjenevën, Romën, New York, Londrën e Brukselin.
Në këtë shkrim po ashtu janë marrë edhe mendime të historianëve mbi rolin e Skënderbeut, të cilët nuk e kanë mohuar rolin e Skënderbeut edhe në betejat e Nishit.