Në një mjedis të ngrohtë dhe frymëzues, i riu nga Prishtina, Donat Krasniqi prezantoi të mërkurën ekspozitën e tij të quajtur “Jeta, Arti dhe Koha”.
Ekspozita e piktorit të talentuar u mbajt në Qendrën Kulturore “Bogdani Polis” në Katedralen e Prishtinës, dhe ai zgjodhi pikërisht këtë vend për të shprehur ndjesitë e tij krijuese në muret e saj.
Tërthorazi, ndonjëherë drejtpërdrejt, Donati luan me teknikat e kontrasteve në pikturë, përfshirë dritëhijet dhe përjetimet që prodhojnë ato lëvizje prej të cilave krijon forma dhe tablo frymëzuese që janë të dobishme dhe atraktive në relacion me ecurinë ideokërkimore.
Personazhet, që sjell ai në këtë version artistik i veçon potenciali fizik dhe psikologjik.
Koha si një koncept, i diskutuar edhe në fushën shkencore, ndërthuret edhe në botëkuptimin më ndryshe nga piktori prishtinas.
Krasniqi, kreu studimet universitare në Fakultetin e Arteve – Dega e Arteve të Bukura, drejtimi Pikturë në Universitetin e Prishtinës derisa aktualisht vijon studimet e nivelit master në këtë fushë në UP.
Ai premton shumë për të ardhmen si në Kosovë ashtu edhe jashtë vendit.
Piktori 27-vjeçar, mori pjesë në disa ekspozita kolektive si brenda dhe jashtë vendit, ku edhe është shpërblyer si artist i ri në fushën e artit në Pikturë. /Telegrafi/