Site icon Telegrafi

“Jepni forcë vetes”, “Gjithçka ka zgjidhje” – Mbahet konferenca kushtuar rëndësisë së shëndetit mendor në Mitrovicë

Konferenca "Rëndësia e shëndetit mendor dhe parandalimi i vetëvrasjeve". Foto; Blinera Mehmeti/Telegrafi

Gjatë ditës së djeshme është mbajtur konferenca me temën “Rëndësia e shëndetit mendor dhe parandalimi i vetëvrasjesve” në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”. Kjo konferencë është dy ditore dhe mbahet në kuadër të iniciativës rinore “Frymo Lirshëm”.

Në këtë konferenncë shin dy panele diskutimi. Në panelin e parë ishin: Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Floretë Zejnullahu, Mehmet Salihu, koordinator rinor, prof.assoc.dr.Islam Qerimi nga Fakulteti Juridik dhe ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri. Ndërsa në panelin e dytë ishin: Psikologia, Bukurije Brezhnica dhe pedagogia Alberina Hajzeri, shkruan Telegrafi.

Një fjalë rasti e pati edhe kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës, Vesa Broja.

Fillimisht koordinatori rinor, Mehmet Salihu falënderoi të gjithë ata që e mbështetën në realizimin e kësaj konference, duke filluar nga Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, Komunën e Mitrovicës, kampanjën “Frymo Lirshëm” e të tjerë.

“Ne jemi të fuqishëm duke punuar së bashku. Le të vazhdojmë të jetojmë lirshëm”, ka thënë Salihu.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Floretë Zejnullahu ka thënë se problemet me shëndetin mendor janë dukuri mjaft sfiduese.

“Është një dukuri mjaft sfiduese. Janë disa faktor që ne duhet të punojmë më shumë drejt tyre, siç është mungesa e psikologëve në shkolla. Nxënësve duhet tu shpjegohet se nuk është tabu të shkosh tek psikologu e të flasësh edhe për bullizmin”, ka thënë Zejnullahu.

Paneli i parë i diskutimit. Foto: Blinera Mehmeti/Telegrafi

Deputetja diskutoi edhe për një rast ku një fëmijë i vogël në familjen e saj është bullizuar nga bashkëmoshatarët në shkollë, pasiqë të njëjtit e kanë fotografuar atë dhe situata ka shkuar deri tek përleshja fizike.

Ndërsa, kryesuesja e Kuvendit të Mitrovicës, Vesa Broja, ka thënë se ka shumë njerëz që përballen me gjendje të rëndë psikologjike dhe emocionale por që të njëjtit, sipas saj, duhet të dijnë se gjithmonë ka një rrugëdalje.

“Ka shumë njerëz në përditshmërinë tonë që përballen me gjendjen e rëndë, ndërkohë ne nuk e dijmë dhe as nuk e vërejmë fare. Ata luftojnë çdo ditë me ndjenjat e trishtimit dhe boshllëkut, duke menduar madje edhe për veprime ekstrme. Në këtë gjendje të errët shpesh mund të duket që nuk ka rrugëdalje, por ne duhet të kujtojmë se gjithmonë ka një rrugë”, ka thënë Broja.

Broja ka thënë se janë të pranishëm në këtë konferencë për të ngritur zërin dhe për të ndarë mesazhin se është normale të kërkojmë ndihmë.

“Është normale të mos jesh mirë çdo ditë, por mbi të gjitha është jetësore të kujtojmë se gjithmonë ka një shpresë, një dorë të shtrirë për të ndihmuar dhe një komunitet që kujdeset”, është shprehur ajo.

Gjërat që i’u dhuruan pjesëmarrësve në konferencë. Foto: Blinera Mehmeti/Telegrafi

Derisa, ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se çështja e shëndetit mendor duhet të diskutohet kudo pa hezitim, transmeton Telegrafi.

“Kjo është një dukuri për të cilën duhet të diskutohet pa hezitim dhe të gjithë të rinjtë e shoqëria civile duhet t’i bashkangjitet kësaj kampanje. Ky problem duhet të jetë i pranishëm çdo herë në tubime sepse është një pjesë e shoqërisë që ka ende trauma nga lufta dhe paslufta. Nuk është dobësi ose marri të tregosh se ke një sëmundje sepse ajo mund të shërohet”, ka thënë Bahtiri.

Bahtiri u ka bërë thirrje të gjithë të rinjve që t’i mbështesin personat që kanë nevojë për mbështetje psikologjike.

“Njeriu gjatë rrugëtimit në jetë mund të përjetoj shumë gjëra të mira dhe të këqija, por kur të rinjtë bëjnë vetëvrasje është shqetësuese. Të rinjtë duhet të kenë vetëbesim se mund të arrijnë atë që duan, do të kenë pengesa por në fund do të arrijnë. Ju them të rinjve të jenë guximtar, të kenë vetëbesim dhe ta përballojnë çdo situatë”, është shprehur ai.

Profesori nga Fakulteti Juridik, Islam Qerimi ka thënë se është e nevojshme që institucionet akademike t’i mbështesin iniciativat kushtuar rëndësisë së shëndetit menndor.

“Universiteti i Mitrovicës do t’i ndihmoj gjithmonë këto iniciativa”, ka thënë Qerimi.

Ai është shprehur se interesimi i studentëve është shumë i madh për të marrë pjesë në këto iniciativa dhe se është i lumtur të marrë pjesë në organizime të tilla.

Psikologia, Bukrije Brezhnica u shpreh se nga ana e psikologëve është e rëndësishme të funksionojnë mekanzima institucional.

“Nga ana e psikologëve është e rëndësishme të funksionojnë mekanzima institucional”, ka thënë Brezhnica.

Paneli i dytë i diskutimit. Foto: Blinera Mehmeti/Telegrafi

Gjersa, pedagogia Arberina Hajzeri, ka potencuar se ka pasur raste kur fëmijët kanë qenë të përfshirë në rrethana jo të mira, por falë angazhimit të tyre ka pasur përmirësime.

“Ka pasur fëmijë që kanë qenë të përfshirë në rrethana jo të mira, por falë punës dhe angazhimit tonë ka pasur përmirësime. Ju themi nxënësve që brenda shkollës është një derë ku ata mund të vijnë dhe të flasin pa hezitim për çdo gjë. Çdo gjë është e zgjidhur. Fatkeqësia është që nxënësit shkojnë drejt delekuencës dhe këtë mundohemi ta parandalojmë përmes këshillave dhe rekomandimeve”, është shprehur Hajzeri

Ajo ka theksuar rëndësinë e bashkëbisedimit të nxënësve me bashkëmoshatarët e tyre sepse sipas saj, është e rëndësishme të flasësh dhe të mos e mbash barrën emocionale brenda vetes. /Telegrafi/

Exit mobile version