Site icon Telegrafi

Jepet premiera e dramës “Menaxheria e Qelqtë” në teatrin e Mitrovicës

Premiera e dramës "Menaxheria e Qelqtë" në teatrin e Mitrovicës "Muharrem Qena", më 27.02.2025

Mbrëmë në teatrin “Muharrem Qena” në Mitrovicë është dhënë premiera e dramës “Menaxheria e Qelqtë”.

Premiera e kësaj drame është dhënë në orën 19:00 dhe është projekti i parë teatror për vitin 2025, shkruan Telegrafi.

Regjisori i dramës “Menaxheria e Qelqtë” është Ilir Bokshi, producent Sabit Sheremeti, skenograf Petrit Bakalli dhe kustomografe Vesa Kraja. Ndërsa aktorët janë: Irena Aliu, Eshref Durmishi, Qendresa Kajtazi dhe Mehmet Preteni.

Producenti i kësaj drameje, njëkohësisht u.d. drejtori i teatrit “Muharrem Qena”, Sabit Sheremeti, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se “Menaxheria e Qelqtë” është një “kryevepër” që eksploron thellësitë emocionale të brishtësisë së ëndërrave dhe fuqisë së kujtimeve.

“Shfaqja e radhës titullohet ‘Menaxheria e Qelqët’, është një kryevepër e njohur që eksploron thellësitë emocionale të lidhjeve familjare, brishtësisë së ëndrrave dhe fuqisë së kujtimeve”, ka thënë Sheremeti.

Ai është shprehur se kjo dramë trajton tema universale si konflikti mes realitetit dhe ëndrrave, sfidat e marrëdhënieve familjare dhe përpjekja për të kapërcyer kufizimet personale.

Premiera e dramës “Menaxheria e Qelqtë” në teatrin e Mitrovicës “Muharrem Qena”, më 27.02.2025

“Me një ekip artistik të përkushtuar dhe një vizion të fuqishëm, ne synojmë ta sjellim këtë histori në mënyrën më të ndjerë dhe të jashtëzakonshme”, ka shtuar producenti i dramës “Menaxheria e Qelqtë”.

Më tej, Sheremeti ka treguar se provat e përgatitjes për këtë dramë kanë filluar në fillim të muajit janar të 2025-së, e të njëjtat janë mbajtur në hapësirat e teatrit dhe janë zhvilluar sipas planit të punës, transmeton Telegrafi.

“Ne besojmë se kjo dramë do të mirëpritet tek publiku dhe gjithashtu do të vazhdojmë me reprizat konform planit të punës, të cilat do të mbahen në teatrin e Mitrovicës dhe do të vazhdojmë në teatrot tjera me të cilat kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm”, ka theksuar ai.

Tutje, producenti ka potencuar se janë të kënaqur me publikun e Mitrovicës dhe se të njëjtit shprehin interesim gjithëherë për t’i përcjellur shfaqjet, derisa u tregua mirënjohës ndaj tyre.

Ai ka bërë të ditur se teatri “Muharrem Qena” është duke vazhduar me provat e komedisë “Kontesha Arduini”, premiera e së cilës do të jepet në fund të marsit.

“Teatri është duke vazhduar edhe me projektin e dytë teatror për vitin 2025, komedinë ‘Kontesha Arduini’ me regjisore Marigona Bekteshi – Ferati, e cila do të shfaqet para publikut në fund të muajit mars”, ka përfunduar producenti i dramës “Menaxheria e Qelqtë”, Sabit Sheremeti. /Telegrafi/

 

Exit mobile version