Telegrafi

Jep dorëheqje ministri rumun i Mbrojtjes – pak ditë pas deklaratave të tij në lidhje me Ukrainën

Ministri i Mbrojtjes, Vasile Dîncu, ka bërë të ditur se i ka dorëzuar dorëheqjen kryeministrit të Rumanisë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ai përmendi “pamundësinë e bashkëpunimit me Presidentin” si arsye kryesore për këtë vendim.

“Unë e justifikoj gjestin tim nga këndvështrimi i pamundësisë së bashkëpunimit me Presidentin e Rumanisë, komandantin suprem të Ushtrisë. E konsideroj të nevojshme të tërhiqem nga ky pozicion për të mos paragjykuar në asnjë mënyrë proceset dhe programet vendimmarrëse që kërkojnë rrjedhshmëri përgjatë gjithë zinxhirit komandues dhe të mos bllokojë një sërë projektesh absolutisht të nevojshme për funksionimin optimal të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare dhe Ushtrisë Rumune”, thuhet në njoftimin e Vasile Dîncu.

Vendimi i tij vjen pasi disa zyrtarë shtetërorë, përfshirë presidentin Klaus Iohannis, kanë kritikuar së fundmi Vasile Dîncu për një koment të diskutueshëm mbi Ukrainën fqinje.

Ish-ministri i Mbrojtjes tha se negociatat me Rusinë do të ishin shansi i vetëm për paqen në Ukrainë.

Dhe sipas mediave rumune, presidenti Iohannis reagoi ndaj deklaratës së Dîncu, duke thënë se ai “duhet të lexojë më shpesh raportet e shtypit për të zbuluar pozicionin e Rumanisë dhe se Ukraina vendos vetë se si të negociojë”.

Kryeministri Nicolae Ciucă tha gjithashtu se deklaratat nuk pasqyrojnë qëndrimin e Rumanisë dhe se ai do të bisedojë me ministrin Dincu. /Telegrafi/