Skuadra italiane Roma e ka nisur mirë këtë edicion në Serie A dhe në Ligën e Kampionëve.
Përderisa në kampionatin italian ‘Giallorosët’ kanë marrë 10 fitore dhe dy humbje, në Ligën e Kampionëve iu mjafton një fitore në xhiron e fundit ndaj Qarabagut për të kaluar tutje.
Presidenti i Romës, James Pallotta ka folur për këtë edicion ku është i kënaqur nga skuadra e tij.
“Prej disa vitesh po punojmë për të ndërtuar një skuadër, që të jetë e aftë të garojë për titullin”.
Italiano – amerikani ka thënë se është viti i duhur për tu shpallur Roma kampione e Italisë.
“Besoj se këtë vit jemi në rrugën e duhur dhe mjaftueshëm të fortë, për t’u shpallur kampionë të Italisë. Skuadra e ka treguar fuqinë e saj në përballje si ato ndaj Chelseat, apo derbi”, tha presidenti i Romës.
Roma momentalisht zë pozitën e katërt në Serie A me 30 pikë të tubuara, pesë më pak se Napoli por që ‘Giallorosët’ kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Këtë javë Roma do të luaj në udhëtim tek Genoa në kuadër të javës së 14-të në Serie A. /Telegrafi/