Site icon Telegrafi

‘Jemi ne kundër gjithë botës’ – Emiliano Martinez thotë se të gjithë duan që Argjentina të humbë

(Foto: Getty Images)

Emiliano Martinez ka thënë se futbollistët e Argjentinës janë të gatshëm për betejën e fundit në kërkim të lavdisë në Kampionatin Botëror, ku beson se të gjithë duan që ata të humbin.

Albicelestët janë kualifikuar në finalen e gjashtë në histori, falë triumfit të frymëzuar nga Lionel Messi kundër finalistit të vitit 2018, Kroacisë, me fitoren bindëse prej 3-0 në Lusail Stadium.

Në finalen e të dielës, ata do ta kenë përballë kampionin në fuqi, Francën, që në gjysmëfinale eliminoi befasinë e këtij turneu, Marokun, me fitore prej 2-0.

“Nuk mund ta besoj. Thjesht, nuk mund ta besoj. E humbëm ndeshjen e parë. Përnjëherë gjithçka u përmbys. Njerëzit dyshuan në ne. Natyrisht, humbëm serinë prej 36 ndeshjeve të pamposhtur”.

(Foto: Getty Images)

“Kundër Meksikës pjesa e parë ishte paksa e dobët. Të gjithë donin që ne të humbnim, kështu që jemi ne kundër pjesës tjetër të botës.

“Jam shumë i lumtur që ky grup prej 26 lojtarësh janë të gjithë luftëtarë dhe ne kemi 45 milionë argjentinas të gjithë pas nesh. Është thjesht e mahnitshme. Ne e ndiejmë turmën në rrugë – të gjitha janë plot me argjentinas.

“Sa herë që luajmë jemi në shtëpi. Ndihemi sikur jemi në shtëpi. Janë rreth 40.000, 50.000 argjentinas në çdo stadium. Jemi shumë të lumtur që i kemi”, ka thënë portieri.

Tifozët e Argjentinës kanë tejkaluar mbështetësit e çdo kombi tjetër në Katar, ku shansi për ta parë Lionel Messin në Kampionatin e tij të pestë dhe të fundit Botëror ka qenë një tërheqje e madhe. /Telegrafi/

Exit mobile version