Telegrafi

“Jehonat e heshtjes” shpalos përvojat e hidhura të komunitetit rom dhe thirrjen për një shoqëri më të drejtë

Instalacioni artistik “Jehonat e heshtjes – Zemrat rome në Kosovë pas konfliktit” me premierën e realizuar në Kinemanë Lumbardhi në Prizren ka përçuar porosinë ndërgjegjësuese mbi rëndësinë e përfshirjes, drejtësinë dhe bashkëjetesën në paqe.

Përgjatë gjithë shfaqjes që ka zgjatur rreth 40 minuta, atmosfera ka qenë emocionale, pasi teksti i aktorëve të teatrit rom “Nexhip Menekshe”,  Melisa Menekshe, Gynesh Veshall dhe Benjamin Menekshe është shoqëruar me muzikë të gjallë, që është ekzekutuar nga muzikantët e shquar: Arian Randobrava, Ilir Bajri dhe Nesim Maxhuni.

Kreatorja e kësaj vepre, Urma Menekshe ka theksuar se kjo performancë artistike përmes rrëfimeve të padëgjuara më parë ndriçon tragjeditë, diskriminimin, përndjekjen dhe fuqinë e mbijetesës së grave rome, duke theksuar padrejtësitë historike dhe domosdoshmërinë e drejtësisë tranzicionale.

“Përmes projektit “Jehonat e heshtjes – Zemrat rome në Kosovë pas konfliktit” bashkohen për të ndriçuar përvojat e hidhura të komunitetit rom, i cili është përballur me vështirësitë e integrimit pas konfliktit”, ka thënë Menekshe.

Sipas saj, ky instalacion nuk është vetëm një shfaqje artistike, por një homazh për realitetin e jetës së komunitetit të margjinalizuar, duke synuar dimensionin gjinor të drejtësisë tranzicionale në Kosovë.

“Përmes tregimeve të gjalla dhe muzikës ne dëgjojmë rrëfime të padëgjuara, të cilat janë sfida të qëndrueshmërisë dhe historisë, po ashtu dhe dhimbje, të cilat nuk janë shprehur më herët”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se kompozimet janë kombinuar me muzikën tradicionale rome për të nderuar edhe trashëgiminë kulturore të këtij komuniteti.

Menekshe ka shfaqur dëshirën që kjo histori të sfidojë shikimin përtej stereotipeve, për të kuptuar kompleksitetin e diskriminimit sistematik ashtu që të vlerësohet forca që gjendet brenda komunitetit rom.

“Shpresa jonë është që kjo ngjarje të nxisë një ndërgjegjësim më të thellë, empati dhe dialog, duke sfiduar narrativet tradicionale dhe duke na inkurajuar të gjithëve që të avokojmë për një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe më të drejtë”, është shprehur Menekshe.

Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Përfshirja e të Rinjve në Drejtësinë Tranzicionale përmes Perspektivës Gjinore”, të Fondacionit Jahjaga, mbështetur nga BE dhe zbatuar nga UNDP. /Telegrafi/