Gazetarët në Afganistan thonë se janë rrahur, ndaluar dhe fshikulluar nga talebanët kur u përpoqën të mbulonin protestat në vend.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, fotografitë që po qarkullojnë në internet tregojnë dy gazetarë nga gazeta Etilaatroz, me mavijosje pas arrestimit të tyre në kryeqytetin Kabul.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) iu ka bërë thirrje talebanëve që të lejojnë mediet të veprojnë lirshëm.
Fotografi i Etilaatroz, Nematullah Naqdi dhe reporteri Taqi Daryabi u arrestuan të mërkurën në një protestë të vogël në Kabul.
Më pas, ata u dërguan në një stacion policie në Kabul, ku thonë se u rrahën me shkopinj, kabllo elektrike dhe kamxhik. Disa orë më vonë, ata u liruan nga talebanët, pa asnjë shpjegim.
“Njëri prej talebanëve më vuri këmbën në kokë, më shtypi fytyrën ndaj betonit. Më goditën në kokë…. Mendova se do të më vrisnin”, tha Naqdi për agjencinë e lajmeve AFP.
Ai pyeti pse po e rrihnin, derisa ata i kthyen: “Ti je me fat që nuk të është prerë koka”.
Luftëtarët talebanë u përpoqën t’ia merrnin aparatin, tha ai, sapo filloi të bënte fotografi.
“Ata arrestuan të gjithë ata që po filmonin dhe morën telefonat e tyre”, ka deklaruar ai për AFP.
Gazetarë të tjerë, përfshirë ekipin e BBC, u penguan të xhironin në Kabul të mërkurën. Agjencia e lajmeve Tolo në Afganistan, raportoi se kameramani i saj ishte arrestuar dhe u mbajt nga talebanët për gati tre orë. /Telegrafi/