Site icon Telegrafi

Javë më parë u arrestua se shëtiti rrugëve të Teheranit e zhveshur, iraniania lirohet nga burgu – thonë se nuk do të akuzohet

Një grua iraniane nuk do të ballafaqohet me kurrfarë akuze, pasi shëtiti e zhveshur dhe vetëm me të brendshmet rrugëve të Teheranit, si shenjë proteste ndaj hixhabit që autoritetet iraniane kërkojnë që çdo grua ta bartë.

Në fillim të këtij muaji, një video u bë virale në rrjetet sociale, ku shfaqte një grua që sipas BBC-së bëhej fjalë për Ahoo Daryaei, që ishte zhveshur pranë kampusit të universitetit dhe me forcë u arrestua nga policia e ‘moralit’, transmeton Telegrafi.

Zëdhënësi i gjykatës iraniane ka njoftuar se ajo do të trajtohet në spital dhe më pas do t’i rikthehet familjes së saj.

E arrestimi i saj ishte dënuar gjerësisht nga faktori ndërkombëtar, ku Amnesty International kishte bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të saj pa kushte.

“Duke marrë parasysh se është dërguar në spital dhe u konstatua se është e sëmurë, ajo do t’i dorëzohet familjes së saj – dhe asnjë akuzë nuk do të ngritet ndaj saj”, tha zëdhënësi i gjykatës së Teheranit, Asghar Jahangir.

Organizata e lëvizjes studentore kishte publikuar videon e arrestimit të saj, ku u tha se Daryaei ishte ballafaquar me agjentë të këtij vendi që e arrestuan për mos mbulimin e kokës dhe zhveshje në hapësira publike. /Telegrafi/

 

Exit mobile version