Telegrafi

Java e fundit vendimtare për titullin në Bundesliga, skenarët që e shpallin Bayernin ose Dortmundin kampionë të Gjermanisë

Barazimi i Bayernit në udhëtim te RB Leipzig (0-0) dhe fitorja e Dortmundit (3-2) ndaj Dusseldorf e kanë ndezur edhe më shumë Bundesligën.

Kësisoj për titullin e kampionit do të vendoset në xhiron e fundit, pasi aktualisht Bayerni ndodhet më pozitën e parë me 75 pikë dhe Dortmund në të dytën me 73 pikë.

Bavarezët në javën e fundit do të luajnë në Allianz Arena ndaj Eintracht Frankfurtit, derisa Dortmund luan në udhëtim te Borussia Moenchegladbach.

Bayernit do t’i mjaftonte vetëm një barazim në ndeshjen e fundit para tifozëve të vet për ta mbrojtur titullin e kampionit, pasi në dy përballje direkte me verdhezinjtë kanë bilanc më të mirë, humbje 3-2 dhe fitore 5-0.

Në anën tjetër Dortmund do të shpresojë të ndodhë mrekullia dhe të fitojë Frankfurt në Allianz Arena pasi janë në luftë për ta zënë një vend që i dërgon në Ligën e Kampionëve.

Humbja e Bayernit në shtëpi dhe fitorja e mundshme e Dortmundit në udhëtim te Gladbach do të bënte që verdhezinjtë të shpalleshin kampionë të Gjermanisë.

Që nga edicioni 2008/09 asnjëherë nuk është vendosur titulli në xhirot e fundit, pasi gjithmonë kampionët kishin kryer punën më herët.

Në atë vit Wolfsburg triumfoi në Bundesliga me 69 pikë pas 34 ndeshjeve, dy më shumë se Bayerni që mbeti në pozitën e dytë. /Telegrafi/