Digjitalizimi i shërbimeve komunale është një shërbim që ekziston tash e sa kohë në disa komuna të Republikës së Kosovës.
Kjo nismë për digjitalizimin e shërbimeve komunale pritet të bëhet shumë shpejtë edhe në Komunën e Gjakovës, përmes projektit “JaTech”.
Shpend Lila, nga Qendra Inovative e Kosovës, që është një ndër ideatorët e kësaj nisme, në një intervistë dhënë Telegrafit, na foli më shumë se si ka ardhur idea për themelinin e nismës “JaTech”.
“Idea rreth nismës ‘JaTech’ ka ardhur nga komuniteti i sektorit të Teknologjië së Informacionit dhe Komunikimit, me prejardhje nga Gjakova, të cilët kanë shprehur interesim që kapitalin dhe dijen ta kthejnë në vend, dhe për kontribuar në zhvillimin dhe promovimin e Gjakovës Digjitale. Nga Gjakova kanë dalë ndërmarrës shumë të suksesshëm të sektorit të TIK, andaj idea është që ta shtyjmë përpara qytetin e të parëve tanë.”, tha fillimisht Lila.
Lila potencoi që përmes këtij projekti Gjakova ka potencial që të shëndrrohet në një qendër teknologjike.
“Gjakova lehtë mund të shëndrrohet në tech hub (qendër teknologjike) regjionale, për shkak së është edhe qytet kufitar me Shqipërinë (veriore), ka talent, ka mundësi ta përziejë edhe me turizëm, dhe çka është më e rëndësishmja, ka talent dhe njerëz (gjakovar) që mund ta bëjnë të mundur këtë.”, ceku Lila.
Mbështetja për realizimin e projekteve është e domosdoshme, dhe Lila tha që ky faktor nuk ju ka munguar që nga fillimi i realizimit të idesë “JaTech”.
“Kemi marrë super mbështetje nga Komuna e Gjakovës, si dhe nga kryetari Gjini personalisht, i cili është angazhuar qysh nga dita e parë e idesë. Poashtu kemi gjetur mbështetje edhe bizneset lokale, dhe njerëzit me prejardhje nga Gjakova që i janë bashkuar nismës.”, shtoi tutje Lila.
Ndër të tjera Shpend Lila potencoi që kjo nismë do të shërbejë për bashkim të komunitetit, që të diskutojme se cili mund të jetë kontributi për zhvillimin e qytetit tani, dhe në të ardhmen. /Telegrafi/