Telegrafi

Japonia këshillon Bidenin, ndjek rrugën e Trumpit karshi Kinës

Zyrtari japonez i mbrojtjes, Yasuhide Nakayama i bëri thirrje sot presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Joe Biden të “jetë i fortë” në ofrimin e mbështetjes për Tajvanin.

Siç deklaroi ai, Biden duhet të sigurojë mbështetje për Tajvanin përpara agresivitetit të Kinës, duke e quajtur sigurinë e ishullit një “vijë të kuqe”.

“Ne jemi të shqetësuar se Kina do të shtrijë qëndrimin agresiv në zona të tjera përveç Hong Kongut. Unë mendoj se një nga objektivat e ardhshëm është Tajvani”, tha Sekretari i Shtetit Nakayama për reuters.

Ai i bëri thirrje demokratit të merrte një qëndrim të ngjashëm ndaj Tajvanit si presidenti në largim Donald Trump, i cili inkurajoi ndjeshëm shitjen e pajisjeve ushtarake në ishull dhe rritjen e angazhimit.

Angazhimi i Japonisë në Tajvan gjithashtu ka lulëzuar në vitet e fundit, kryesisht mbi baza jo-qeveritare. Tokio respekton politikën “një Kinë”, duke ekuilibruar në mënyrë delikate marrëdhëniet e saj me gjigantin fqinj, Kinën dhe aleatin e saj të vjetër ushtarak në Uashington.

Japonia ndan interesa strategjikë me Tajvanin, i cili ndodhet në vijën bregdetare përmes të cilave rrjedh pjesa më e madhe e furnizimit dhe tregtisë së Japonisë. /Telegrafi/