Site icon Telegrafi

Japonezët kënaqën edhe një herë botën: Tifozët pastruan stadiumin, lojtarët pastruan dhomën e zhveshjes, por nuk ishte e gjitha

Pas fitores ndaj Gjermanisë në raundin e parë të fazës së grupeve të Kupës së Botës në Katar, futbollistët japonezë kënaqën edhe një herë publikun botëror pasi u larguan nga dhoma e zhveshjes duke i lënë në gjendje të shkëlqyer. 

Një foto nga dhomat e zhveshjes japoneze pas ndeshjes kundër Gjermanisë e ka publikuar faqja zyrtare e FIFA-s dhe përveç kësaj kanë treguar se japonezët kanë lënë pas 11 origami, që janë simbol nderi në këtë vend.

Origami është arti japonez i palosjes së letrës, i cili përdoret për qëllime të ndryshme, nga qëllime dekorative deri te ato fetare.

 

Përveç kësaj, dhe siç e kemi parë edhe në kampionatet e mëparshme botërore, tifozët japonezë me thasë të mbeturinave në duar pastruan stadiumin ku u luajt ndeshja kundër Gjermanisë.

 

Siç shihet edhe në videot e publikuara në rrjetet sociale, ata kanë mbushur thasët e plehrave, dhe i janë përkulur secilit prej fansave që i janë bashkuar ose i kanë futur plehrat në qese në shenjë falënderimi.

 

Kujtojmë se pas një përmbysjeje, Japonia mposhti Gjermaninë me rezultat 2-1 dhe kështu krijoi sensacionin e dytë të madh në Botërorin e Katarit, pasi më herët Arabia Saudite, po ashtu pas një përmbysjeje, mundi Argjentinën. /Telegrafi/

Exit mobile version