Site icon Telegrafi

James Biberi: Unë do ta luaja, Adem Jasharin!

Intervistoi: Dashnim Hebibi

Është 46 vjeç. Aktor me nam. E takoj në lagjen e artistëve, East Village, në New York. Kisha dëgjuar shumë për të. Aktor i rrallë, i veçantë, pasionant. Ata që nuk e njohin, kanë një mundësi sot përmes kësaj bisede të shkurtë të mësojnë për peripecitë, pasionet dhe këmbënguljen në rrugën e tij të mundimshme prej aktorit.

Në rrugën që ju keni bërë drejt skenës dhe kinematografisë, a ju kujtohet, si e përjetësuat ëndrrën tuaj për t’u bërë aktor?
Në fillim kam studiuar mjekësinë, por një ditë jam ndalur dhe e kam pyetur veten nëse vërtet doja të bëhesha doktor. Kur kam reflektuar se çfarë dua të bëj me jetën time, kam ndërprerë shkollimin për mjekësi dhe i jam kthyer aktrimit.

Ju keni luajtur në shumë filma (“Amongst Friends”, “Made Man”, “The Sopranos”, “Analyze That”, “The Brave One”, etj.) dhe me aktorë të njohur. A prezantoheni si shqiptar apo amerikan?
Në SHBA kam ardhur kur i kam pasur dy vjeç. Gjithmonë e ruaj origjinën time dhe të gjithë e dinë se jam shqiptar nga Shqipëria dhe, vërtetë, jam nga Tropoja e Shqipërisë. Gjithsesi, i them çdokujt se jam shqiptar dhe këtë e them, me mburrje.

Ajo që bie dukshëm në sy është tatuazhi i dorës së djathtë në të cilën keni vendosur përjetësisht shqiponjën.
Ja, siç e shihni, në dorën time të djathtë, është shqiponja dykrenore dhe dy vajzat e mija, Leila dhe Tess. Leila e bukur ka vdekur nga kanceri dhe e kujtoj përgjithmonë.

Ju keni përfaqësuar denjësisht shqiptarët në botë, duke u prezantuar në film edhe përkrah aktorit Roberto de Niro?
Aktrimi është pasion dhe ushqim imi shpirtëror. Jo vetëm me këtë aktor, por kam luajtur edhe me shumë e shumë të tjerë që janë të njohur në tërë botën.

Po në serialin ‘Sex in the City’?
Në këtë film kam luajtur në rolin e detektivit.

Nëse të jepet mundësia të luash në ndonjë film, e kam fjalën film shqiptarë, cilin rol do ta kishe luajtur dhe çfarë filmi do kishe realizuar?
Me shumë zemër do ta kisha luajtur filmin për luftën e Kosovës dhe rolin e heroit legjendar Adem Jashari. Shiko, dhe trupi më rrëqethet, kur e kujtoj historinë e Adem Jasharit. E paramendoj se si do ta luaja dhe, besoj, se do të ishte film shumë i mirë dhe do mirëpritej, jo vetëm tek shqiptarët, por në gjithë botë?

Por, ç’ju mungon që ta realizoni këtë dëshirë tuajën?
Nuk ka ende një shkrimtar që e ka përshkruar si duhet luftën dhe biografinë e Adem Jasharit. Ndoshta edhe gabohem, por unë nuk jam në dijeni. Nëse do të shkruhet ashtu si është dhe të më besohet mua ky rol, me dëshirën të madhe do ta luaja edhe atë me aktorë të tjerë shqiptarë, sikur që është Luan Bexheti, e shumë të tjerë. Të mos harrojë, se kisha dashur të luajë edhe një film të mirë për vuajtjet e popullit shqiptar me regjimin e egër të Enver Hoxhës.

Përplot katër dekada nuk keni shkelur Kosovën, prejse familja juaj ia kishte mësyrë Amerikës.
Ishin organizatorët e festivalit të fundit gjithëkombëtar të filmit të shkurtër artistik “Nine Eleven” ata që më kanë bërë ftesën për të përcjellë për së afërmi këtë eveniment, duke më dhënë vendin e mysafirin special edhe kryetarit të jurisë së festivalit.

Ç’farë emocionesh ju ka sjellë “zbarkimi” pas kaq vitesh në Kosovë?
Ishte kënaqësi jashtëzakonisht e madhe të ndodhesh në mesin e njerëzve që flasin shqip. Është shumë e vështirë të shpjegohet me fjalë, por edhe zemra e ndien se është në vend të vetin.

Biberi e ka sfiduar veten në teatër, serial dhe film. Disa nga filmat në të cilët ai luajti, janë:

Drive, (2011)
Mildred Pierce, (2011)
Part Three (2011)
Our Idiot Brother (2011)
Blue Bloods (2010)
Officer Down (2010)
Law & Order (1997-2010)
Law & Order: Criminal Intent (2006-2010 )
Dirty Old Town (2010)
Coach (2010)
White Collar (2009)
The Greatest (2009)
Definitely, Maybe, (2008)
Fixing Rhonda (2008)
The Brave One (2007)
Gracie (2007)
Distraction (2006)
The Producers (2005)
Law & Order: Special Victims Unit (2002-2005)
Diamonds Bullets & Fate (2005)
National Treasure (2004)
Sex and the City (2003)
Analyze That (2002)
100 Centre Street (2001)
Fast Food Fast Women (2000)
As the World Turns (1999)
Buddy Faro (1998)
Silk Stalkings (1997)
Gratuitous Sex (1995)
Amongst Friends (1993)

/Telegrafi/

Exit mobile version