Site icon Telegrafi

“Jam unë ajo” – Premiera që shpalos historinë e dy grave që përballen me sfidat e depresionit pas lindjes

Teatri i Qytetit të Gjilanit do të prezantojë premierën e shfaqjes “Jam unë ajo” më 25 dhjetor, një prodhim nga Valmira Thaqi dhe Dituri Neziraj, me regji nga Erson Zymberi.

Kjo shfaqje trajton një temë të ndjeshme sociale, duke shpalosur historinë e dy grave që përballen me sfidat e depresionit pas lindjes.

“Përmes personazheve Dija dhe Vesa, shfaqja ndriçon përvojat e dhimbshme të grave që mbartin barrën e padukshme të fajit dhe paaftësisë. Edhe pse të ndara nga rrethana të ndryshme, ato ndajnë një betejë të përbashkët, duke sfiduar pritshmëritë dhe normat e një shoqërie që shpesh i mohon të drejtën për të qenë të brishta. Ky rrëfim guximtar thekson një plagë të thellë sociale, duke sfiduar tabutë dhe duke ngritur ndërgjegjësimin për çështje që zakonisht mbahen të heshtura”, thuhet në njoftim.

Në role kryesore do të jenë aktoret Semira Latifi dhe Tringa Hasani. Skenografia është realizuar nga Bekim Korça, kostumografia nga Njomëza Luci, koreografia nga Gjergj Prevazi, muzika nga kompozitori Tomor Kuçi, dhe ndriçimi nga Burim Baftiu.

Premiera ofron një mundësi unike për publikun të përjetojë një eksperiencë teatrale të fuqishme dhe emocionuese, duke sjellë në qendër një temë të rëndësishme sociale. Qytetarët janë të ftuar të marrin pjesë dhe të bashkohen në këtë ngjarje të veçantë, e cila premton të jetë një përvojë e paharrueshme me mesazhe të thella. /Telegrafi/

Exit mobile version