Telegrafi

Jakub Jankto del publikisht si homoseksual

Reprezentuesi i Republikës Çeke, Jakub Jankto ka dalë publikisht si homoseksual në një video emocionuese në rrjetet sociale.

Jankto, i cili aktualisht është i huazuar në Sparta Pragë nga Getafe, zbuloi se është homoseksual pasi këmbënguli në klip se ai është i vendosur të jetojë jetën pa frikë, paragjykime dhe dhunë – por me dashuri.

“Përshëndetje, unë jam Jakub Jankto. Si gjithë të tjerët, edhe unë kam pikat e mia të forta, kam dobësitë e mia, kam një familje, kam miqtë e mi”, ka deklaruar fillimisht 27-vjeçari.

“Kam një punë që prej vitesh e bëj sa më mirë, me seriozitet, profesionalizëm dhe pasion. Si gjithë të tjerët, edhe unë dua ta jetoj jetën time në liri pa frikë, pa paragjykime, pa dhunë – por me dashuri”.

“Unë jam homoseksual dhe nuk dua të fshihem më”, thuhet më tej në videon e publikuar nga Jankto. /Telegrafi/