Site icon Telegrafi

A do ta pushtojë Izraeli, Libanin?

Diplomatët janë mobilizuar për të lehtësuar tensionet në Lindjen e Mesme. Pas shpërthimeve të pajisjeve elektronike të anëtarëve të Hezbollahut – fajësohet Izraeli – shpërthime këto që lanë të vdekur dhjetëra njerëz dhe po shtyn rajonin drejt një konflikti të gjithanshëm.

Shpërthimet e pajisjeve “pagers” dhe radiolidhje të grupit militant libanez lanë të vdekur 37 persona dhe plagosën rreth 3000 të tjerë.

Besohet se janë kryer nga Izraeli, i cili të enjten bombardoi Libanin jugor, në të njëjtën ditë që të dërguarit nga SHBA-ja dhe Evropa u takuan përpara një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të premten.

Ka frikë se konflikti i tensionuar ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut, i cili mbështetet nga Irani, mund të përshkallëzohet ndërsa një analist izraelit i gjeopolitikës tha për Newsweek se “asnjëherë nuk kemi qenë më afër një lufte të përgjithshme”.

Një ekspert tjetër tha se lufta është “një opsion i mundshëm, por jo i pashmangshëm”, dhe sulmet mund të detyrojnë Hezbollahun të tërhiqet nga jugu i Libanit, por edhe Hamasin prej negociatave për një armëpushim të luftës në Gaza, e cila filloi me sulmin vdekjeprurës të Hamasit të 7 tetorit në Izrael, transmeton Telegrafi.

Të martën, pajisjet “pagers” të përdorura nga anëtarët e Hezbollahut shpërthyen njëkohësisht në pjesë të Libanit dhe Sirisë, duke vrarë të paktën 12 persona dhe plagosur mijëra të tjerë.

Izraeli nuk ka komentuar shpërthimet, por një zyrtar amerikan i tha Associated Press se Uashingtoni ishte informuar për operacionin.

Të mërkurën, 25 persona u vranë dhe më shumë se 450 u plagosën kur radiolidhjet shpërthyen njëkohësisht në disa pjesë të kryeqytetit libanez, Bejrut.

Operacionet pasojnë zotimin e Izraelit për të zgjeruar qëllimet e luftës së tij në Gaza, për të përfshirë kthimin e banorëve në Izraelin verior që ishin evakuuar nga shtëpitë e tyre për shkak të sulmeve të Hezbollahut, i cili është i lidhur me Hamasin.

Në një fjalim të zjarrtë të enjten, lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, i quajti sulmet “terrorizëm i pastër” dhe “krime lufte ose të paktën shpallje lufte”, pa treguar se çfarë përgjigje ushtarake do të ndërmerrte grupi i tij.

“Nuk kemi qenë kurrë më afër një lufte të gjithanshme, por ajo ende mund të shmanget, pasi nuk e kemi kaluar pikën e pa kthimit”, tha Daniel Shadmy, zëdhënës i organizatës joqeveritare European Leadership Network-Israel (ELNET), për Newsweek. “Ndërsa përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut vazhdojnë, po i afrohemi më shumë një gabimi në llogaritje dhe një përshkallëzimi dramatik të armiqësive”, shtoi ai.

Rreth 60 mijë njerëz janë evakuuar nga veriu i Izraelit për shkak të sulmeve të Hezbollahut nga Libani. Shadmy tha se shpërthimet që kanë pasur në shënjestër Hezbollahun këtë javë mund të përdoren për të shtyrë drejt një zgjidhjeje diplomatike.

“Izraeli nuk do të tërhiqet derisa të mund t’i kthejë qytetarët e tij të zhvendosur nga veriu në mënyrë të sigurt në shtëpitë e tyre, qoftë përmes mjeteve diplomatike apo jo”, tha ai.

Pas sulmeve, Ministri i Jashtëm i Libanit, Abdallah Bou Habib, dënoi “sulmimin flagrant” ndaj sovranitetit të vendit të tij. Homologu i tij turk, Hakan Fidan, akuzoi Izraelin për përpjekje të zgjerimit të luftës së Gazës në Liban.

Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar të gjitha palët kundër “përshkallëzimit të çdo lloji” dhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, iu bashkua homologëve të tij në kryeqytetin francez pas diskutimit të mundësisë së një armëpushimi në Gaza në Kajro, duke paraqitur një çështje të ndërlikuar të politikës së jashtme për Uashingtonin përpara zgjedhjeve të muajit nëntor.

Poshtërimi nga shkelja e inteligjencës, që besohet të ketë prishur seriozisht aftësitë komanduese të Hezbollahut, mund të shfrytëzohet si levë për një përparim në përpjekjet e amerikanëve për të arritur një zgjidhje lidhur me tërheqjen e grupit nga jugu i Libanit dhe në negociatat me Hamasin.

“Izraeli ka sinjalizuar se kalimi në fazën tjetër të planit të tij të luftës kundër Hezbollahut është një opsion i mundshëm, por jo i pashmangshëm”, tha analisti rajonal dhe ish-zyrtar i inteligjencës izraelite, Avi Melamed, për Newsweek.

“Irani dhe Hezbollahu kanë interes për t’i dhënë fund përplasjes me Izraelin, veçanërisht pas goditjes së rëndë që pësoi organizata libaneze”, tha ai. “Parashikoj që presioni iranian mbi [udhëheqësin e Hamasit Yahya] Sinwar për të arritur një marrëveshje që të paktën përkohësisht do të ndalonte luftimet në Gaza do të intensifikohet”, përfundoi ai. /Telegrafi/

Exit mobile version