Site icon Telegrafi

Izraeli me sulmet më vdekjeprurëse në Liban që nga lufta e vitit 2006

Numri i të vdekurve nga fushata ajrore izraelite e Izraelit në jug dhe lindje të Libanit, ku Hezbollahu i mbështetur nga Irani ka një prani të fortë, shënon përshkallëzimin më vdekjeprurës që nga konflikti i vitit 2006.

Lufta Izrael-Liban e atij viti, e cila përfshinte një fushatë ajrore, detare dhe tokësore nga forcat izraelite, shkatërroi pjesë të mëdha të vendit.

Në atë kohë, më shumë se 1,100 libanezë u vranë në sulmet izraelite, duke përfshirë rreth 250 militantë të Hezbollahut, ndërsa 121 ushtarë dhe 43 civilë u vranë në anën izraelite nga sulmet me raketa të Hezbollahut.

Ndërsa tani, konflikti aktual i cili është shtrirë kryesisht rreth 4 kilometra në të dy anët e kufirit, është përshkallëzuar ndjeshëm pasi kabineti izraelit i luftës i zyrtarisht i dha përparësi riatdhesimit të banorëve të zhvendosur nga territori i tij, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Që atëherë, sulmet e intensifikuara ndaj objektivave të Hezbollahut, shumë prej të cilave në zona me popullsi të dendur civile, kanë shkaktuar rritje dramatike të numrit të të vdekurve, me militantë dhe civilë mes viktimave.

Bëhet e ditur se të paktën 182 persona u vranë në sulmet e fundit izraelite dhe 727 u plagosën, në mesin e tyre edhe gra, fëmijë dhe mjekë.

Është e paqartë se sa nga viktimat ishin civilë ose militantë të Hezbollahut.

Por, raportohet se shumë nga vendet e përshkruara nga Izraeli si objektiva të Hezbollahut janë lagje banimi dhe fshatra.

Ndërsa sulmet ajrore izraelite vazhdojnë të godasin Libanin jugor dhe lindor duke shkaktuar zhvendosje masive të civilëve, ka jehonë të luftës së vitit 2006.

Gjithnjë e më shumë, njerëzit po e përshkruajnë konfliktin si një luftë.

Dhe ka frikë në rritje se vendi është në prag të një dhune më katastrofike se ajo e para 18 viteve. /Telegrafi/

Exit mobile version