Site icon Telegrafi

Izraeli nis valën e re të sulmeve ajrore në Liban- vritet koordinatori i sulmeve të Hezbollahut

Një komandant i Hezbollahut është vrarë në një sulm në Bejrut, ka pretenduar ushtria izraelite.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se Suhail Hussein Husseini ishte në krye të sektorit të grupit militant që mbikëqyr logjistikën, buxhetimin dhe menaxhimin e njësive të ndryshme të tij.

Ato pretendojnë se Husseini luajti një “rol vendimtar” në transferimet e armëve midis Iranit dhe Hezbollahut dhe ishte përgjegjës për “shpërndarjen e armatimit të avancuar midis njësive të Hezbollahut”.

“Përveç kësaj, ai ishte anëtar i këshillit të Xhihadit, këshillit të lartë të udhëheqjes ushtarake të Hezbollahut”, tha IDF.

Ndër tjera, Husseini thuhet të ketë qenë përgjegjës për “buxhetin dhe menaxhimin logjistik të projekteve më të ndjeshme të Hezbollahut”, duke përfshirë “operacionet speciale, të tilla si koordinimi i sulmeve kundër shtetit të Izraelit nga Libani dhe Siria”.

Media shtetërore libaneze tha se sulmet goditën periferitë jugore të Bejrutit, pasi ushtria izraelite lëshoi një paralajmërim për banorët e zonës.

Ndryshe, Izraeli nisi një valë intensive sulmesh ajrore në Libanin jugor të hënën, me 100 aeroplanë që synonin rreth 120 objektiva.

Vala e sulmeve vjen pasi izraelitët shënuan përvjetorin e sulmeve të 7 tetorit të vitit të kaluar nga Hamasi, shkas për një vit të përshkallëzimit të luftës në rajon. /Telegrafi/

Exit mobile version