Gjatë mbrëmjes së kaluar, ushtria izraelite ka goditur qendrën komanduese të Hezbollahut që gjendej brenda një xhamie në jug të Libanit, Bin Jbeil, që gjithashtu gjendej pranë spitalit Salah Ghandour.
IDF-ja izraelite thotë se sulmi me dron ishte “preciz”, duke u bazuar në informacionet e inteligjencës ushtarake, transmeton Telegrafi.
Sipas ushtrisë izraelite, qendra komanduese përdorej nga operativët e Hezbollahut për “të planifikuar sulme terroriste mbi trupat e IDF-së në shtetin e Izraelit”.
Para se të fillonte sulmin, IDF-ja kishte dërguar mesazhe tek banorët, dhe u kishte bërë thirrje zyrtarëve në fshatrat përreth – duke u kërkuar që të largohen.
“Që nga fillimi i luftës, dhe madje që nga aktiviteti i kufizuar tokësor në jug të Libanit, IDF-ja ka bërë përpjekje të mëdha që të parandalojë dëmtimin e civilëve të papërfshirë në luftë si dhe është mbrojtur infrastruktura civile, për dallim nga Hezbollahu që po shfrytëzon infrastrukturën civile, përfshirë ndërtesat kolektive për të kryer akte terroriste”, u tha nga IDF-ja. /Telegrafi/