Ministri i Jashtëm izraelit, ka njoftuar se Antonio Guterres-it i është ndaluar hyrja në Izrael, për shkak të asaj që ai e sheh si paragjykim anti-izraelit nga ana e shefit të OKB-së.
Israel Katz tha se e ka shpallur Guterres-in si person “non-grata” në shtetin e Izraelit, transmeton Telegrafi.
“Kushdo që nuk mund të dënojë pa mëdyshje sulmin e urryer të Iranit ndaj Izraelit, siç ka bërë pothuajse çdo vend në botë, nuk meriton të shkelë në tokën izraelite”, tha ai në X.
Guterres dënoi dje “zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, me përshkallëzim pas përshkallëzimi”, dhe bëri thirrje për një armëpushim në një deklaratë që nuk përmendi në mënyrë specifike Iranin.
Kjo nuk është hera e parë që Guterres ka pasur mosmarrëveshje me diplomatët izraelitë. Që nga sulmi i Hamasit në tetor të vitit të kaluar, Izraeli ka akuzuar OKB-në se nuk po dënojnë haptazi sulmet e Hamasit në tokën izraelite. /Telegrafi/