Një qytetar ka shprehur shqetësimin e tij për shkak të zhurmës që po shkaktojnë pusetat në rrugën “Enver Miftari” në Gjilan, të cilat sipas tij nuk janë rregulluar mirë.
Qytetari ka adresuar ankesën në platformën ndreqe.com, derisa ka theksuar se rruga është asfaltuar para disa jave, ndërsa problemi qëndron tek pusetat, të cilat sipas tij secila veturë që kalon krijon zhurmëne e keqe.
“Rruga “Enver Miftari” në Gjilan është shtruar asfallt para disa jave. Por, problemi qëndron te kapakët e shaktave që nuk i kanë vendosur mirë, çdo vetur që kalon mbi shakt, ato krijojnë zhurm tmerrësisht të keqe”, ka shkruar qytetari, duke theksuar se edhe për krejt banorët e tjerë është shqetësuese, veçanërisht gjatë natës.
“Edhe për krejt banorët që jem në këtë rrugë është duke na shqetësuar gjatë gjithë kohës, e sidomos gjatë natës që po dëgjohet shumë zhurm e madhe”, ka theksuar ai.
Madje, qytetari ka shtuar se ka provuar të kontaktoj me firmën që e ka ndërtuar rrugën, me Komunën e Gjilanit si dhe, me Drejtorinë e Inspekcionit.
“Kam tentu me komuniku me firmën që e ka ndërtu rrugën… por nuk m’a kanë hap telefonin, poashtu kam telefonu në Komunë të Gjilanit nuk m’a kanë hap telefonin, ndërsa kur kam komuniku me Inspektoriatin më thanë që nuk është punë e jonja e nuk e dim kush merret me këto punë. Ju kisha lut, nëse kishit pas mundësi këtë ankes me e qu në degën përkatëse në Komunë.
Ndërsa, Telegrafi ka kontaktuar me drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Gjilan, Kushtrim Ibrahimi, i cili tha se ka marrë disa telefonata sa i përket kësaj çështje dhe se shqetësimin e qytetarëve e ka adresuar në kompaninë përkatëse.
Ai theksoi se kompania ka rregulluar disa nga pusetat dhe disa të tjera po presin deri në ardhjen e pusetave të reja.
“I kam marrë dy-tri telefonata sa i përket këtij problemi dhe ne si drejtori e kemi adresuar shqetësimin e qytetarëve në kompaninë përkatëse. Kompania na ka njoftuar se disa prej tyre veçse i kanë rregulluar, ndërsa për pjesën tjetër po presin derisa të vijnë pusetat e reja. Nuk kanë dhënë datë apo ditë të caktuar se kur vijnë dhe kur do të përfundohen, por po presin deri kur të vijnë”, ka thënë ai për Telegrafin. /Telegrafi/