Komuna e Istogut ka bërë hapjen e Qendrës së Qëndrimit Ditor për të moshuarit në zyrat e shoqatës së pensionistëve.
Këtë inaugurim të Qendrës e kanë bërë Drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Komunën e Istogut, Merita Muzlijaj-Bytyqi, kryetari i shoqatës së pensionistëve në Istog, Muharrem Shatri dhe Projekt Menaxheri i Syri i Vizionit, Dukagjin Nishiqi.
Sipas drejtoreshës për Mirëqenie Sociale në Komunën e Istogut, Merita Muzlijaj-Bytyqi, ndërtimi i kësaj qendre nderon mundin dhe sakrificën e gjithë prindërve.
“Me inaugurimin e Qendrës së Qëndrimit Ditor për Moshën e Tretë, po e nderojmë gjithë mundin dhe sakrificën e të gjithë prindërve tanë ndër vite, prandaj uroj, që ta gëzoni”, është shprehur Muzlijaj-Bytyqi.
Kjo qendër është mundësuar në kuadër të programit “Ndërtimi i komuniteteve miqësore për të moshuarit nëpërmjet veprimit ndër breza në Kosovë – AGE+”, i cili financohet nga Agjensioni Austriak për Zhvillim. /Telegrafi/