Site icon Telegrafi

Ishin gjithmonë së bashku, mesazhi emocionues i Flamur Bunjakut për legjendën Fadil Vokrri

Ish-futbollisti legjendar nga Kosova dhe ish-kryetari tanimë i ndjerë i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri ka pasur përvjetorin e lindjes.

Legjenda e jonë ndërroi jetë dy vite më parë pas një sulmi në zemër, ndërsa ai vazhdon të përkujtohet çdo ditë nga familjarë, miq e dashamirë të tij.

E njëri nga miqtë e tij më të mirë padyshim që ka qenë Flamur Bunjaku, anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Bunjaku ishte i vetmi person që shkoi në Meksikë së bashku me Vokrrin në pranimin e Kosovës me të drejta të plota në FIFA.

Fadil Vokrri dhe Flamur Bunjaku në kongresin e FIFA-s, kur Kosova zyrtarisht u pranua me të drejta të plota në shtëpinë më të madhe të futbollit në botë.

Gjilanasi që ka dhënë kontribut të madh për futbollin kosovar në FFK ka përkujtuar legjendën Vokrri me një foto të postuar në profilin e tij në Facebook.

“Sot do të festonte ditëlindjen e tij të 60 legjenda, njeriu i suksesit, ikona dhe miku Fadil Vokrri”.

“Jam shumë krenar që në disa nga rrugëtimet më të rëndësishme të karrierës, unë isha së bashku me ty, si bashkëpunëtor, por edhe një mik i joti”.

“Pas pranimit në UEFA dhe FIFA menduam se së bashku do të festojmë shumë përvjetor, por ja që perëndia të deshi afër vetës. Si duket kështu ikin legjendat”.

“Urime ditëlindjen e 60 Fadil Vokrri. Bashkëpunëtori dhe miku jot i përjetshëm, Flamur Bunjaku”, ishte mesazhi i anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së për legjendën Vokrri. /Telegrafi/

Exit mobile version