Ish-sulmuesi anësor i Manchester Unitedit, Lee Sharpe nuk është i kënaqur me trajnerin Jose Mourinho dhe mendon se ai do të largohet para Krishtlindjeve.
Unitedi ka nisur sezonin e ri në Ligën Premier me një fitore të ngushtë ndaj Leicester Cityt në javën e parë të kampionatit.
Megjithatë, janë mposhtur pastaj në Brighton dhe Sharpe beson se 55-vjeçari portugez, Mourinho, do të shkarkohet para Krishtlindjeve, pasi tifozët nuk e duan futbollin e tij.
“Mourinho është njeriu i gabuar për këtë punë”, ka thënë fillimisht Sharpe për Press Association Sport .
“Kur erdhi në Chelsea herën e parë ai ishte shumë simpatik dhe zbavitës, por tani ai thjesht duket i lodhur dhe i ngopur”.
“Ai është ankuar për mos-nënshkrimin e lojtarëve të rinj dhe nuk lavdëroi ata që i mori”.
“Futbolli nuk është i këndshëm dhe ajo që e bën atë dy herë më keq është se dy rivalët e tyre më të mëdhenj, Man City dhe Liverpool, do të luajnë futboll emocionues”.
“Stili i tij negativ nuk përshtatet me futbollin që duan tifozët e Unitedit. Unë mendoj se ai do të shkarkohet para Krishtlindjeve”, përfundoi ish-lojtari i Djajve të Kuq. /Telegrafi/