Telegrafi

Ish-ylli i Barcelonës i bashkohet Greenwoodit tek Getafe si huazim

Ish-mesfushori i Barcelonës, Ilaix Moriba i është bashkuar Getafes në formë huazimi nga ekipi gjerman RB Leipzig.

Ka qenë vet klubi madrilen ai i cili përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale kanë konfirmuar marrëveshjen me Leipzigun për mesfushorin e talentuar.

Moriba momentalisht është i angazhuar me Guinean në Kupën e Kombeve të Afrikës dhe do t’i bashkohet Getafes sapo pjesëmarrje e tyre në këtë turne do të përfundojë.

“Getafe ka arritur marrëveshje me RB Leipzig për huazimin e futbollistit të Guinesë, Ilaix Moriba deri në fund të sezonit. Vetëm në moshën 20-vjeçare, ai ka një eksperiencë të pasur në futbollin profesionist, veçanërisht në La Liga, ku ka luajtur një total prej 52 ndeshjeve dhe ka kontribuar me pesë asistime”, thuhej në njoftimin zyrtar të Getafes.

Moriba është promovuar nga La Masia në vitin 2019 dhe ka bërë debutimin e tij me ekipin e parë të Barcelonës në sezonin 2020/2021.

Në gusht të vitit 2021, Moriba u transferua në Bundesliga tek Leipzigu për shumën e 16 milionë eurove.

Që nga janari i vitit 2022, mesfushori ka luajtur në formë huazimi tek Valencia para se të rikthehej tek klubi gjerman para fillimit të sezonit 2023/2024./Telegrafi/