Telegrafi

Ish-nënkryetari i FFK-së, Bekim Haxhiu: FFK po e ul figurën e Fadil Vokrrit me organizime të tilla

Ditën e djeshme është mbajtur turneu përkujtim për nder të ditëlindjes së legjendës së futbollit kosovar Fadil Vokrri.

Ish-kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës kishte ditëlindjen e 62-të, derisa në këtë turne për veteranë ishin pjesëmarrës Kombëtarja e Shqipërisë, Përfaqësuesja e Kosovës, KF Prishtina vetarnët dhe ekipi i veteranëve të Llapit.

Por kritik ndaj këtij organizimi ka qenë ish-nënkryetari i FFK-së, njëherit deputet i Republikës së Kosovës, Bekim Haxhiu.

Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haxhiu ka shkruar se FFK po e ul madhështinë e legjendës Vokrri me organizime të tilla.

Gjithnjë sipas Haxhiut, shtëpia më e madhe e futbollit kosovar nuk duhet t’ia lë në dorë organizimin e turneve të tilla shoqatës së veteranëve, por për ta nderuar Vokrrin duhet organizuar turneu nga KE i FFK-së së bashku me MKRS-në.

Lexo po ashtu Veteranët e futbollit mbarëkombëtar e nderuan legjendën Fadil Vokrri – Ekipi i Kosovës e fitoi turneun

“Në ditëlindjen e legjendes së futbollit Fadil Vokrri është organizuar Turnir me veteranët e futbollit. Stadiumi ishte bosh. Pse? Sepse FFK ulë nivelin e organizimit kur bëhet fjalë për Fadil Vokrrin. Në vend se të ngris sa më lartë madhështinë e figurës së tij, FFK e përulë atë me organizime lokale, me veteranë futbolli, me gjithë respektin për ta, por ngjarjet që lidhen me Fadil Vokrrin do të duhet të jenë të organizuara në nivel shumë të lartë, me ekipe ndërkombëtare”, tha Haxhiu.

“Organizimin e Turnireve që lidhen me emrin e legjendës Fadil Vokrri, do të duhej ta bënte KE i FFK-së me MKRS e jo të bëhet nga Shoqata e Veteranëve të Futbollit, ku ftesat u dërgohen mysafirëve në ditën e turnirit, apo pak orë para fillimit, prandaj stadiumi ishte bosh.Dhe vetvetiu shtrohet pyetja: A po e bën këtë qëllimisht udhëheqja aktuale e FFK-së apo vërtetë ky është respekti që ata gëzojnë për Fadil Vokrrin”, ishte reagimi i Haxhiut. /Telegrafi/