Ish-legjenda e Manchester United, Rio Ferdinand, ka vënë në pikëpyetje vendimin e klubit për të nënshkruar me Matthijs De Ligt.
The Athletic kishte raportuar të premten se ‘Djajtë e Kuq’ janë në prag të nënshkrimit me reprezentuesin holandez në një marrëveshje e cila ishte e vlefshme për 45 milionë euro plus pesë milionë bonuse.
United ka nevojë për përforcime në zemër të mbrojtjes pas largimeve të Raphael Varane dhe Willy Kambwala dhe për shkak të lëndimeve të Harry Maguire dhe Victor Lindelof.
Sidoqoftë, ikona e ‘Old Trafford’, Rio Ferdinand beson se 24-vjeçari nuk është zgjidhja për të përmirësuar krizën në mbrojtje.
“E kam përcjellur atë tek Ajaxi, ai ishte i mrekullueshëm atë vit kur Erik Ten Hag ishte trajner, ata u kualifikuan në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe u mposhtën nga Tottenhami. Ai ishte i mrekullueshëm, lider, gjithçka që kërkoni tek një mbrojtës”.
“Ai ka pasur shumë lëndime, nuk ka luajtur titullar në shumë ndeshje gjatë dy ose tri viteve dhe Manchester United po shpenzon 45-50 milionë euro për të. A do të vijë ai tek Man United dhe të bëjë diferencën?”.
“Mendoj se është një pyetje e madhe dhe të gjithë sytë do të jenë tek ai. Presion i madh, mundësi e madhe për të, por ka shumë pasiguri besoj me këtë transferim për shkak të sezoneve të tij të kaluara me dy klubet e mëdha (Juventus dhe Bayern) që nuk kanë shkuar siç kemi pritur”, ka thënë Ferdinand.
Të besuarit e Ten Hag nuk e patën startin ideal të sezonit pasi ditë më parë humbën në finale të Superkupës së Anglisë ndaj rivalit lokal Manchester Cityt./Telegrafi/