Këto ditë është diskutuar shumë në opinion çështja e shkëmbimeve të territoreve me Serbinë. Kjo pas kërkesës së përfaqësuesve të shqiptarëve të Preshevës që në dialogun me Serbinë të futet edhe të drejtat e shqiptarëve të Luginës.
Për këtë, pati edhe takim të enjten mes Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, me liderët politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, i cili tha se nuk do të këtë ndarje të Kosovës.
Ish kryetarja e Preshevës, tani anëtare e Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Ardita Sinani ka thënë se nuk është e tyre të propozojnë shkëmbime territoresh, por që kërkojnë që shqiptarëve të Luginës të mos i mohohen të drejtat elementare.
Sinani tutje ka treguar për takimin me Presidentin Thaçi. Ajo ka deklaruar se në atë takim është kërkuar që në bisedimet e Brukselit të shtrohen tema që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve.
“Si pjesë e aprovimit të Deklaratës Politike nga ana e këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës është edhe kërkesa jonë adresuar autoriteteve në Prishtinë për angazhim më të madh për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Takimi jonë me Presidentin ishte në këtë funksion. Ne kemi kërkuar që në bisedimet e Brukselit të shtrohen tema që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve. Kapitujt 23 dhe 24 të cilët Serbisë i sjellin obligime për përmirësimin e të drejtave të pakicave nuk po sjellin rezultatet e pritura, prandaj ne mendojmë se duhet shfrytëzuar Kapitullin 35 dhe me këtë drejtpërdrejtë bisedat e Brukselit që të drejtat tona atje të shtrohen në reciprocitet me të drejtat e serbëve”, ka theksuar ish-kryetarja e Preshevës.
“Ashtu siç u deklarua edhe personalisht, Presidenti Thaçi mori për obligim angazhim më të madh të tijin dhe institucioneve të Kosovës për çështjet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ne presim që sikurse presidenti edhe Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës të marrin këto obligime”, ka thënë në fund të intervistës Sinani.
Ndryshe, Thaçi pas takimit me përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës është deklaruar se nuk do të këtë ndarje të Kosovës dhe se marrëveshja ligjërisht e detyrueshme në përmbyllje të dialogut do të nënshkruhet nga dy shtetet e pavarura.