Telegrafi

Ish-kryeministri pakistanez Imran Khan merr pjesë në tubimin e parë që kur u plagos tre javë më parë

Kryeministri i rrëzuar i Pakistanit, Imran Khan, ka folur me qindra mijëra mbështetës, në daljen e tij të parë publike që kur u qëllua dhe u plagos tre javë më parë.

Njerëzit u mblodhën në një tubim në qytetin e Rawalpindi, të cilët u mobilizuan me flamuj dhe shenja, transmeton Telegrafi.

Ish-ylli i kriketit u kërkoi atyre të jetonin pa frikë nga vdekja, transmeton Telegrafi.

Në fillim të këtij muaji, një person u vra dhe disa të tjerë u plagosën gjatë sulmit ku Khan po drejtonte një event të ngjashëm.

Ish-kryeministri u plagos në këmbën e djathtë dhe iu nënshtrua një operacioni. Ai ka akuzuar anëtarët e qeverisë aktuale për komplotin e sulmit, në Wazirabad.

Autoritetet kanë hedhur poshtë akuzat dhe kanë publikuar një video që pretendon të tregojë një rrëfim nga një burrë që ata e përshkruajnë si të dyshuarin e vetëm për sulmin.

Të shtunën, Khan pretendoi se “tre kriminelë” po prisnin të bënin një tjetër përpjekje për ta vrarë.

Por ai tha se “frika e bën një komb të tërë skllevër”, duke u thënë mbështetësve se nuk duhet të frikësohen nga kërcënimet apo dhuna.

Gjatë fjalimit të tij, ai gjithashtu pranoi dështimet në trajtimin e korrupsionit gjatë mandatit të tij të kryeministrit. /Telegrafi/