Site icon Telegrafi

Ish-kreu i Inteligjencës së BeH, Osman Mehmedagiq, futet në listën e zezë të SHBA-së

Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka futur në listën e zezë tre persona nga Bosnja dhe Hercegovina, përfshirë edhe ish-drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (OSA), Osman Mehmedagiq.

Kjo është bërë e ditur nga mediat në Bosnjë dhe Hercegovinë, sipas të cilave, përveç Mehmedagiq, Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka futur në listën e zezë edhe bosin e drogës Edin Gaçanin Tita dhe Dragan Stankoviq, drejtor i Administratës së Çështjeve Gjeodezike të RS.

Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, përcjell Telegrafi.

““Sot ne sanksionuam tre persona në Bosnjë dhe Hercegovinë të cilët kërcënuan sundimin e ligjit, minuan institucionet, penguan ose kërcënuan zbatimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe kontribuan materialisht në përhapjen ndërkombëtare të drogave të paligjshme”, ka shkruar Blinken në Twitter.

Ndryshe, ky informacion është publikuar sot zyrtarisht në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, përcjell Telegrafi.

Sipas mediave në Bosnjë, Osman Mehmedagiq akuzohet se ka përdorur BH Telecom për të mbledhur “aktivitetet celulare” nga politikanë që nuk ishin të lidhur me Partinë e Veprimit Demokratik (SDA).

“Në cilësinë e tij zyrtare si Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së BeH-së, shtetasi i BeH, Osman “Osmica” Mehmedagiq keqpërdori kompaninë shtetërore të telekomunikacionit në favor të Partisë për Veprim Demokratik (SDA), një nga partitë më të mëdha politike në BeH…”, thuhet në raport.

Përveç kësaj, Mehmedagiq përdori pozitën, kërcënimet dhe lidhjet e tij për të inkurajuar kandidatët nga “Osmorka” për të mbështetur SDA.

Ekzistojnë gjithashtu informacione të besueshme se Mehmedagić ka bashkëpunuar me grupe kriminale për të pasuruar veten dhe partinë e tij politike. /Telegrafi/

Exit mobile version