Ish-gjyqtari i njohur i Ligës Premier, Mark Clattenburg është punësuar në rolin e analistit të gjyqtarëve nga Nottingham Forest.
Clattenburg, i cili së fundmi është paraqitur si gjyqtari kryesor në shfaqjen televizive të BBC-së Gladtiators, ka marrë një rol të rëndësishëm tek Nottinghami, duke u përpjekur që ta ndihmojë klubin që të përmirësojë marrëdhëniet me gjyqtarët e ndeshjeve, sipas një raportimi nga The Telegraph.
Clattenburg ka ndarë drejtësinë për 13 vite në Ligën Premier, para se të largohet nga ky rol në vitin 2017.
Më pas, ai u bë drejtori i gjqytarëve në Arabinë Saudite dhe ishte emëruar president i Komitetit Egjiptian të Gjyqtarëve në gusht të vitit 2022.
Vendimi i Nottinghamit për ta punësuar Clattenburgun në këtë pozitë, vjen pas pakënaqësive mbi vendimet e gjyqtarëve dhe VAR-it këtë sezon. Klubi ka paraqitur ankesa të shumta në drejtim të PGMOL, duke përmendur disa raste ku ata kanë pretenduar se janë dëmtuar nga gjyqtarët.
Ardhja e Clattenburg pritet që të sjell ekspertizë dhe njohuri të vlefshme tek Nottinghami, teksa ata do të synojnë që të adresojnë ankesat e tyre në ndarje të drejtësisë, duke nxitur në të njëjtën kohë marrëdhënie më të mira me gjyqtarët e ndeshjeve.
Nottinghami së fundmi shënoi fitore me rezultat të pastër 2-0 ndaj Aston Villës dhe momentalisht gjenden në pozitën e 15-të në tabelën e klasifikimit me 24 pikë të grumbulluara./Telegrafi/