Telegrafi

Ish-drejtori ekzekutiv i Amazon në Meksikë, kishte paguar 9 mijë dollarë për vrasjen e gruas, viktima ishte qëlluar me plumb në kokë

Ish-drejtori ekzekutiv i Amazon në Meksikë, është i dyshuari kryesor për vrasjen e ish-gruas së tij, i cili po akuzohet se kishte paguar 9 mijë dollarë për likuidimin e saj.

Abril Perez Sagaon është qëlluar me plumb në kokë dhe qafë, derisa po qëndronte ulur në veturë në Mexico City gjatë nëntorit të vitit 2019, transmeton Telegrafi.

Ajo ishte qëlluar nga një motoçiklist që kishte hapur zjarr nga dritarja e anës së djathtë të veturës.

Juan Carlos Garcia, që dikur ish-drejtor ekzekutiv i Amazon në Meksikë, kur kompania amerikane hapi zyrën e saj të parë në këtë vend në vitin 2015, akuzohet se ia kishte dhënë 9 mijë dollarë dy vrasësve me pagesë që t’ia vrasin ish-gruan.

Madje ai u kishte ofruar një bonus prej 2.500 dollarë nëse vritet para seancës dëgjimore, ku ajo kishte ngritur padi kundër tij.

Procesi gjyqësor për vrasjen e Perezit ka filluar të hënën, ku dëshmuan dy vrasësit që pretenduan se Garcia i kishte angazhuar. Perez më herët kishte paditur ish-bashkëshortin se kishte tentuar ta vret derisa akoma ishin bashkë.

Garcia ishte arratisur matanë kufirit – pra në SHBA, para se të fillonte procesi gjyqësor kundër tij. Ai është akoma në arrati – kurse Interpoli ka lëshuar urdhërarrest për të në më shumë se 190 shtete.

Gjatë kohës së vrasjes, në fuqi ka qenë ndalesa që t’i qëndrojë afër ish-gruas. E pas vrasjes, Garcia i kishte dërguar letër kryetarit të Mexico City, ku këmbëngulte se është i pafajshëm.

“Si baba, kurrë nuk kam dashur që fëmijët e mi të kalojnë nëpër diçka të tillë, kjo i ka goditur dhe ka ndryshuar jeton tonë”, pati shkruar ai në letër. /Telegrafi/