Site icon Telegrafi

Ish-anëtarja e Mossadit: Sulmi me pejxherë mbi operativët e Hezbollahut, ka funksionuar për mrekulli

Ish-shefja e departamentit të analizës dhe hulumtimit pranë inteligjencës izraelite Mossad, ka thënë se sulmi mbi operativët e Hezbollahut që përdornin pejxherë “ka funksionuar për mrekulli”.

Sima Shine i tha Sky News se shpërthimi i pejxherëve, “ishte një kombinim i tre elementeve që funksionuan për mrekulli”, transmeton Telegrafi.

Ajo tha se kjo përfshinte “në rend të parë informacionin, teknologjinë dhe aftësitë operacionale”.

“Kombinimi i këtyre tre e ka bërë operacionin të jetë i suksesshëm”, shtoi ish-punonjësja e Mossadit izraelit.

Shine pretendon se operacioni “kishte për shënjestër operativët e Hezbollahut e assesi civilët”, megjithatë të paktën dy fëmijë ishin në mesin e të vrarëve nga shpërthimi i pejxherëve në tërë Libanin.

“Kur e shihni numrin e madh të njerëzve të plagosur, e kuptoni se sa preciz ishte operacioni mbi operativët e Hezbollahut e assesi mbi civilët. Me vjen keq që ka ndodhur në dy raste (vdekja e dy fëmijëve), por ky nuk ishte qëllimi”, shtoi ajo. /Telegrafi/

 

Exit mobile version