Ish-menaxheri i Michael Schumacher, Willi Weber, i ka kritikuar sërish familjarët e shtatë herë kampionit të botës në Formula 1, për faktin se ata nuk bëjnë të ditur gjendjen reale të legjendës së këtij sporti, i cili u aksidentuar në fund të vitit 2013.
“Ka shumë kohë që them se familja e Schumacher nuk po e thotë të vërtetën për gjendjen e tij”, ka deklaruar Webber në një intervistë për të përjavshmen Bunte, transmeton TCH.
“Është momenti që fansat e tij të mësojnë se çfarë po ndodh në të vërtetë me të. Por, kjo është e kotë, sepse këshillat e mira prej vitesh nuk merren parasysh”, ka shtuar ai.
Pavarësisht kësaj, Weber pranoi se ka ende shpresë në një përmirësim të gjendjes së ish-kampionit të botës në Formula 1.
“Kur jam në shtëpi dhe dëgjoj zilen e telefonit, shpesh uroj që të dëgjoj zërin e Schumacher. Shpresa është e fundit që vdes”, ka deklaruar më tej Weber.
Michael Schumacher u aksidentua më 29 dhjetor 2013 në alpet franceze teksa ishte me pushime me familjen e tij.
Gjatë skijimit, ai u godit në kokë nga një gur duke pësuar dëmtime të rënda pavarësisht se ishte i pajisur me kaskën mbrojtëse. Legjenda u operua dy herë për shkak të hemorragjisë cerebrale dhe qëndroi në koma të induktuar për gjashtë muaj.