Garda Revolucionare e Iranit, ka publikuar një video propaganduese ku përmes editimit, kanë bërë që në pamje të duket sikur ndërtesa e Kongresit amerikan hidhet në erë nga një raketë gjigante dhe se ushtarët iranianë “çlirojnë” Jerusalemin.
E njohur ndryshe si IRGC, televizioni shtetëror transmetoi videon propaganduese, para se lideri suprem Ali Khamenei t’i drejtohej kombit, transmeton Telegrafi.
Videoja fillon duke shfaqur trupat elitare të Gardës Revolucionare të Iranit të rreshtuar. E më pas shihet raketa e lansuar nga një lokacion i panjohur, që godet ndërtesën e Kongresit amerikan që përfshihet menjëherë nga zjarri.
E sikur kjo të mos u mjaftonte, në videon e edituar shfaqen edhe klerikët iranian duke ecur në drejtim të Jerusalemit, qytet i shenjtë për të cilin palestinezët dhe izraelitët luftojnë prej vitesh.
Sipas Kasra Aarabi, analist në Institutin Tony Blair, muzika që dëgjohet në sfond të videos është një këngë nacionaliste. /Telegrafi/