Site icon Telegrafi

“Irani do ta sulmojë përsëri Izraelin nëse është e nevojshme”, deklaron udhëheqësi iranian

“Sulmet raketore të Iranit ndaj Izraelit ishin korrekte, logjike dhe të ligjshme”, deklaroi Ayatollah Ali Khamenei para një turme të madhe që ishte mbledhur për ta dëgjuar atë të fliste në Teheran.

Udhëheqësi suprem i Iranit e përshkroi sulmin si “dënim minimal” për ato që ai i quajti “krimet e habitshme” të Izraelit ndërsa kryente lutjet e së Premtes në kryeqytet, diçka që nuk e ka bërë që nga viti 2020.

Bëhet e ditur se fjalimi i Khameneit erdhi tre ditë pasi Irani gjuajti gati 200 raketa në Izrael, në atë që tha se ishte hakmarrje për vrasjen e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.

Udhëheqësi suprem mbajti një pjesë të fjalimit të tij në arabisht për t’iu drejtuar mbështetësve palestinezë dhe libanezë.

Gjatë fjalimit të tij, Khamenei vlerësoi Nasrallahun dhe shprehu mbështetje për Hamasin dhe Hezbollahun, të ciat ai tha se ofronin “shërbim jetik për të gjithë rajonin dhe mbarë botën islame”.

Ai tha se grupet e armatosura të lidhura me Iranin “nuk do të tërhiqen” në konfliktin e tyre me Izraelin, i cili hyri në një fazë të re pasi Hamasi filloi sulmet vdekjeprurëse në Izrael pothuajse një vit më parë.

Siç raportohet, Irani është mbështetësi kryesor i Hezbollahut dhe Hamasit, si dhe grupeve të tjera të armatosura në Lindjen e Mesme që kanë sulmuar Izraelin.

Ata shpesh e quajnë veten “Boshti i Rezistencës”, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Javët e fundit, disa liderë të lartë të grupeve të mbështetura nga Irani dhe krahut të fuqishëm ushtarak të Iranit, Gardës Revolucionare, janë vrarë në sulmet izraelite ose vrasje të supozuara izraelite.

Dalja e liderit suprem përpara një turme prej dhjetëra mijërash në Teheran mund të lexohet si një përpjekje për të treguar forcë dhe për të rivendosur besueshmërinë e Iranit si udhëheqës i “Boshtit të Rezistencës”.

Dalja publike kishte për qëllim gjithashtu të tregonte se Khamenei nuk fshihet, pasi dolën raporte se ai ishte dërguar në një vend të sigurt pas vrasjes së Nasrallah.

Ndryshe, Khamenei ka pushtetin përfundimtar në Iran, por shumë rrallë i drejton vetë lutjet e së Premtes.

Hera e fundit që ai e bëri këtë ishte në vitin 2020, pasi SHBA-ja vrau komandantin më të lartë ushtarak të Iranit, Qassem Soleimani.

Irani është ende i tronditur nga humbja e aleatëve të tij Nasrallah dhe liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, i cili u vra në Teheran në korrik.

Khamenei gjithashtu i tha turmës se Irani do të hakmerrej nëse, siç pritej, Izraeli nis një përgjigje ndaj sulmit raketor të së martës.

“Irani do ta sulmojë përsëri Izraelin nëse është e nevojshme”, tha lideri iranian. /Telegrafi/

Exit mobile version