Qeveria e re iraniane ka miratuar përdorimin e vaksinës kundër COVID-19 nga kompania amerikane “Johnson&Johnson”, tha një zyrtar i lartë sot ndërsa Republika Islamike po përballet me valën e pestë të infeksionit.
Njoftimi vjen tetë muaj pasi Udhëheqësi Suprem, Ayatollah Ali Khamenei ndaloi importin e vaksinave të prodhuara në Shtetet e Bashkuara dhe Britani – megjithëse Irani që atëherë ka importuar vaksina të zhvilluara nga kompanitë perëndimore, por të prodhuara diku tjetër, raporton reuters.
Administrata e Presidentit Ebrahim Raisi është nën presion politik për të zgjeruar gamën e vaksinave pasi numri i të infektuarve rritet në valën më vdekjeprurëse deri më sot.
“Një dozë e vaksinës Johnson & Johnson është miratuar,” cituan mediat iraniane kreun e Administratës Iraniane të Ushqimit dhe Barnave, Mohammad Rezu Shanehsaz. Ai nuk tha se ku do të prodhohej vaksina as nuk komentoi ndalimin.
Në janar, Khamenei ndaloi qeverinë të importojë vaksina kundër COVID-19 nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, duke thënë se të dy vendet ishin “jo të besueshme”. /Telegrafi/