Telegrafi

Irani instalon kamera në publik për të identifikuar gratë pa shami

Autoritetet iraniane kanë filluar të instalojnë kamera në vende publike për të identifikuar gratë e pambuluara, ka njoftuar policia.

Me këtë rast, ato që shihen nga autoritetet do të marrin një tekst në lidhje me pasojat që mund t’i presin nëse nuk mbulojnë flokët me hixhab, tha policia, transmeton Telegrafi.

Kjo do të ndihmonte në parandalimin e “rezistencës kundër ligjit të hixhabit”, tha policia.

Protestat shpërthyen vitin e kaluar për shkak të vdekjes në paraburgim policor të Mahsa Aminit, një grua e re kurde e arrestuar për dyshime se ka shkelur rregullin e hixhabit.

Që nga vdekja e Aminit, një numër në rritje i grave i kanë flakur tutje mbulesa e tyre, veçanërisht në qytetet më të mëdha, pavarësisht rrezikut të arrestimit.

Një deklaratë e policisë e publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve e Republikës Islamike tha se sistemi përdori të ashtuquajturat kamera “të zgjuara” dhe mjete të tjera për të identifikuar dhe dërguar “dokumente dhe mesazhe paralajmëruese për shkelësit e ligjit të hixhabit”.

Grave iu kërkohet ligjërisht të mbulojnë flokët e tyre me një hixhab (shami) që kur Revolucioni Islamik i vitit 1979 vendosi një interpretim të rreptë të ligjit fetar. Gratë që shkelin ligjin përballen me gjoba ose arrestime. /Telegrafi/