Site icon Telegrafi

Ipko vs. Vala

Kush është më e mirë, Vala apo Ipko? Cila ka çmime më të ulëta? Konsumatorët, duke u munduar të gjejnë përgjigje në këto dy pyetje, duan ta ndërtojnë edhe imazhin për operatorin e telefonisë mobile më të qëndrueshëm. Por, secila përgjigje e tyre do të jetë gjysmake po qe se mbështetet vetëm në këta dy faktorë. Ipko e Vala janë dy çështje komplekse, që nuk mund të vështrohen vetëm për nga çmimet.

Para së gjithash, përparësia krijohet nëpërmjet tërë pakos së ofertës, ku edhe çmimi është një faktor me rëndësi. Vala, si operator që për një kohë të gjatë ka qenë pa asnjë konkurrent, nuk ka qenë shumë e brengosur për tregun dhe konsumatorët. Ajo e ka pasur të sigurt se një mijë kosovarë mund t’i bëjë me kartelë. Madje, për një kohë të gjatë aty ka mbretëruar filozofia që fitimi të krijohet nëpërmjet çmimeve të larta, e jo duke e rritur numrin e parapaguesve, e me një pako më të kompletuar. Kjo e ka sjellë në situatë që vështirë ta përballojë konkurrencën.

Ipko ka hyrë në treg në mënyrë agresive. Për gjysmë viti ka investuar 120 milionë euro dhe ka 270 mijë konsumatorë aktivë. Realisht, ajo po i imponon çmimet, të cilat operatori publik e ka vështirë t’i ndjekë. Tash zhvillohet gara se kush kënd po e lodh. Kush do të dorëzohet i pari.

Sigurisht që Vala e para do ta ndiejë lodhjen. Mos për asgjë tjetër, së paku për shkak të statusit që e ka, formës së vendimmarrjes dhe presionit që i bën Qeveria e Kosovës. Ajo është pronë publike, që edhe pak ditë i takon Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit. Pronari nuk ka shumë vizion për tërë kompaninë publike, pos asaj që duke e zhvilluar telefoninë mobile t’i mbulojë humbjet që krijojnë sektorët e tjerë të PTK-së dhe sa më shumë para të deponojë në banka komerciale. Ndërkaq, as Qeveria e Kosovës nuk ka treguar saktësisht se çfarë do të bëjë me PTK-në. Do ta privatizojë operatorin Vala? Zgjidhja më e mirë, por kur mund të ndodhë kjo. Ky proces kërkon kohë dhe sa më vonë të ndodhë, ky operator nuk do të arrijë çmim të lartë. Privatizimi krijon kushtet e barabarta në treg.

Statusi pronësor, Ipko si kompani private, e Vala publike, e pengon konkurrencën e barabartë. Madje, edhe gara se kush po ofron çmime më të ulëta nuk është gjithaq fer. Po ashtu, ky status pamundëson çdo marrëveshje ndërmjet këtyre dy operatorëve. Gjendja komplikohet edhe më shumë kur dihet se PTK-ja tanimë gjashtë muaj është pa drejtor dhe operon nën frikën se është vatër e korrupsioni, siç ishte shpallur nga kryeministri Hashim Thaçi. Prandaj, në këtë fazë, bashkëpunimi është i pamundshëm. Edhe po të ishte Ipko e gatshme, ajo nuk ka me kë të bisedojë.

Kjo mungesë e bashkëpunimit e ngarkon koston e afarizmit të të dy operatorëve. Që të dytë punojnë në mënyrë paralele, duke investuar në mënyrë të pavarur, ndonëse ekzistojnë një milion mundësi për bashkëpunim. Madje, edhe në infrastrukturë mund të investojnë bashkë, pa e rrezikuar asnjëra tjetrën në treg.

Atëherë edhe shërbimet e secilës prej tyre mund të jenë më të lira dhe më cilësore. Pra, bashkëpunimi mund të krijohet vetëm ndërmjet dy subjekteve të barabarta dhe me politika kompatibile. Përpjekjet jashtë këtyre rrethanave janë false dhe gati të pamundshme.

Në këtë gjendje në treg, megjithatë, ka fitues. Së pari, është konsumatori, i cili nuk ka kërkesë të madhe, pos asaj që çmimi i shërbimeve të operatorëve të jetë sa më i ulët. Në një mënyrë, fitues është edhe Ipko, meqenëse nuk i ka duart e lidhura, siç i ka konkurrenti i saj, Vala. /Marrë nga Lajm/

Exit mobile version