Telegrafi

IPKO 3G së shpejti në 50% të Kosovës, fillon edhe mbulimi i fshatrave

Në fazën e njëjtë të zgjerimit të rrjetit të saj mobil, IPKO do të vazhdojë ta rrisë kapacitetin e rrjetit 3G edhe në zonat e mbuluara aktualisht, për t’i dhënë përdoruesve të saj ekzistues përvojë edhe më të mirë të përdorimit të internetit të shpejtë mobil, pikërisht në vendet prej nga ata e përdorin 3G-në më së shumti.

“IPKO ka planifikuar që deri në mes të muajit mars, zgjerimi dhe rritja e kapacitetit të rrjetit 3G të bëhet në Prishtinë, Mitrovicë, Podujevë, Vushtrri, Ferizaj, Gjakovë, Prizren dhe Pejë” thuhet në kumtesë, ndërsa operatori mobil e ka në plan që ti mbulojë edhe fshatrat me rrjetin 3G.

“Tani, për të parën herë, rrjeti 3G do të fillojë të shtrihet edhe në zonat rurale të vendit, ku është planifikuar të vendosen pika të reja të cilat do të mbulojnë edhe rrethinat, si në Hajvali, Komoran, Konushec, Magjunaj, Mushtisht, Studenqan, Dragobil, Junik, Krushë e Madhe, Llazicë, Orobërd dhe Zahaq”.

Mbulueshmëria e re e IPKO-së me rrjetin 3G do të bëjë që më shumë se 47 për qind e territorit të Kosovës të ketë sinjal të mirë të rrjetit 3G në ambient të jashtëm, dhe poashtu sinjal të mirë me 3G edhe në ambiente të mbyllura.

IPKO njihet si operatori i parë mobil, sa i përket çmimeve të volitshme, kualitetit të shërbimeve, stabilitetit dhe mbulueshmërisë së rrjetit të telefonisë mobile në Kosovë, ndërsa mbetet operatori i parë dhe i vetëm me rrjetin 3G./ Telegrafi /