Telegrafi

Inzaghi nuk e harron Strakoshën, përkundër që shqiptari nuk po mbron për Lazion: Ka qenë njëri nga më të mirët në Serie A

Thomas Strakosha nuk e ka pasur një nismë të mirë këtë edicion me skuadrën e Lazios.

Portieri shqiptar ka pasur probleme me lëndim dhe rezultoi pozitiv me COVID-19, gjë që bëri të mbetej jashtë fushave për disa takime.

Strakosha nuk ka mbrojtur në pesë ndeshje në Serie A, teksa ka humbur edhe katër të tjera në Ligën e Kampionëve.

Ai është rikthyer tani, por po qëndron në bankën rezervë pasi para tij po mbron veterani Pepe Reina.

Megjithatë trajneri i Lazios, Simone Inzaghi ka thënë se nuk e ka harruar portierin shqiptar dhe se ai do të rikthehet në portë.

“Portieri është një rol delikat. Strakosha është portieri jonë dhe do ta marrë veten, e do të marrë vendin e tij. Ky nuk duhet të jetë një problem, por një zgjidhje”.

“Reina tani po bën mirë dhe është një orientim për ne. Por, nuk harroj Thomasin, ka qenë një nga më të mirët e Serisë A dhe prej katër vitesh është këtu me ne”, u shpreh Inzaghi. /Telegrafi/