SC Gjilani tani e disa javë ka mbetur pa president, pasi Florim Zuka ka dhënë dorëheqje.
Por klubi ka vazhduar punën normalisht, madje duke arritur edhe rezultate shumë të mira në këto ndeshjet e para ku mban kryesimin në Albi Superligën e Kosovës.
Ka interesime nga jashtë që të blejnë SC Gjilanin dhe njëri nga ta është menaxheri italian Andrea D’Amico.
Menaxheri italian ndodhet në Kosovë ku synon të gjej marrëveshje për blerjen e SC Gjilanit, derisa ai është pritur edhe nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Ka qenë faqja zyrtare e FFK-së që ka njoftuar për takimin mes Ademit dhe D’Amicos.
Njoftimi i plotë:
Presidenti Agim Ademi, sot, priti në takim menaxherin e futbollit nga Italia, Andrea D’Amico.
D’Amico e njoftoi presidentin Ademi se qëllimi i ardhjes së tij në Kosovë është interesimi ndaj klubit SC Gjilani, me zyrtarët e të cilit veçse ka biseduar gjatë ditës së djeshme, e po ashtu identifikimi i talentëve kosovarë dhe mundësia që futbollistët tanë të transferohen në klubet evropiane.
Ndërsa qëllimi i takimit me presidentin Ademi ishte informimi nga afër për zhvillimin e futbollit kosovar, për çka edhe e përgëzoi të parin e FFK-së, teksa u diskutua edhe për gjetjen e formave për bashkëpunim me të rinjtë kosovarë.
Presidenti Ademi e falënderoi menaxherin Andrea D’Amico për interesimin ndaj futbollit dhe futbollistëve tanë, teksa e njoftoi atë se futbolli kosovar vitet e fundit ka shënuar progres, pasiqë po zhvillohet me hapa të shpejtë, të sigurt dhe të suksesshëm. /Telegrafi/