Zhvillimi i Malësisë së Gollakut në Komunën e Prishtinës përmes planit të zhvillimit të zonave rurale mundëson revitalizimin e fshatrave. Ndërsa për këtë, investimet vetjake dhe shfrytëzimi i tokës së punës nga banorët rezidentë, tashmë, kanë filluar.
Në fshatrat e Gollakut të Komunës së Prishtinës dita-ditës po ndryshojnë pamjet me ngritjen e infrastrukturës rrugore. Banorët e dikurshëm të këtyre zonave kanë filluar të ndërtojnë hapësira banimi. Megjithatë, për t?ua lehtësuar kushtet elementare me artikuj esencialë, Abdyl Abdyli nga fshati Prapashticë, ka zhvilluar sektorin e perimekulturës në serrë dhe fushë të hapur, ndërsa thotë se nuk ka produkte sa ka klientë të interesuar.
“Merrem me produkte pemë dhe perimtari më së shumti. Kam filluar me sasi të vogla, fusha është zgjeruar, shkaku se fshati Prapashticë çdo ditë e më shumë po vjen duke u ndërtuar, janë duke u ndërtuar villa, janë duke u kthyer njerëzit, shkaku i infrastrukturës edhe gjendja është përmirësuar”, tha Abdyl Abdyli, banor i fshatit Prapashticë.
Mjediset ekologjike janë tërheqëse si për banim, ashtu dhe për prodhime ekologjike, thonë banorë të kësaj zone, të cilët aktualisht janë në mërgim e që, njëherësh, kanë investuar në këtë zonë.
“Kosova është një vend i vogël, por një vend i artë edhe bashkatdhetarët e kanë mundësinë dhe u jepet mundësia për të investuar këtu. Edhe unë si bashkatdhetar kam investuar, kam blerë 5 hektarë tokë, sivjet i kam pasur pesë hektarë grurë dhe diku rreth 25 tona grurë i kam gjetur”, tha Shemsi Shema, mërgimtar, me banim në Zvicër.
“Fshati i ka të gjitha, mundet njeriu të punoj për jetën e vetë, mundet të përfitojë prej punës së vetë që e bën dhe, pse jo, mund ta kenë, pse jo, një banesë në qytet, apo të bëjnë një vilë apo shtëpi të vogël në fshat, i bën të gjitha ato prodhimet që i duhen për familje, për të gjitha”, tha Shukrie Shema, banore e Gollakut në mërgim.
Zyrtarë të Komunës së Prishtinës nga Drejtoria e Zhvillimit Rural thonë se janë në proces të hartimit të planit strategjik për agroturizëm, brenda planifikimeve buxhetore për shtigje turistike, ekoturizëm, mobilitet të gjelbër, zona për piknik dhe parqe rekreative./RTK