Site icon Telegrafi

Intervenimi operator për ngushtimin e vagjinës ose vaginoplastika

Dr. Memli Morina, gjinekolog

Madhësia dhe forma e vagjinës mund të ndryshojë midis grave dhe zakonisht këto dallime mund të konsiderohen si një variant i normales

Dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 049 439 393

Muskujt e dyshemesë së legenit që rrethojnë vagjinën kanë një konsistencë elastike që ia mundësojnë vagjinës të zgjerohet kur është e nevojshme, si për shembull gjatë procesit të lindjes kur kalon bebja dhe sërisht pas procesit të lindjes të rikthehet në madhësinë paraprake. Por, muskujt e dyshemesë së legenit mund të dobësohen nga një sërë shkaqesh, si lindjet, disa probleme mjekësore si dhe gjatë jetës në kuadër të procesit të plakjes.

Si rrjedhojë këto gra kanë ndjesi të zvogëluar gjatë marrëdhënieve seksuale, por mund të kenë edhe descensus (apo rënie ose zhdjergie) të mitrës. Këto ndryshime mund të shkaktojnë ulje të ndjeshme të vetëbesimit dhe të mirëqenies emocionale.

Për fat të mirë, gratë tani kanë akses në një sërë trajtimesh shumë efektive për shtrëngimin e vagjinës, qoftë me laser ose edhe përmes procedurave kirurgjikale të vaginoplastikës, dhe kjo mund të ndihmojë në ngushtimin e vagjinës dhe si rrjedhojë edhe me një përmirësim pasues në gjendjen mendore. dhe mirëqenien emocionale.

Cilat janë shkaqet e vagjinës së zgjeruar?

1. Shtatzënia dhe lindja

Shkaku më i shpeshtë i zgjerimit të vagjinës është lindja vagjinale. Gjatë lindjes vagjinale, bebja del nga mitra dhe vagjina duhet të zgjerohet ndjeshëm për të lejuar kalimin e bebes. Pas lindjes, gratë mund të përmirësojnë tonusin e muskujve të dyshemesë së legenit përmes ushtrimeve; megjithatë, përkundër kryerjes së këtyre ushtrimeve nuk do të mund të rivendoset vagjina në gjendjen e saj normale për shkak të relaksimt të konsiderueshëm të indeve mbështetëse. Ndonjëherë, përveç zgjerimit të vagjinës një grua pas lindjes mund të ketë problem me urinim (mosmbajtje të urinës) ose edhe prolaps të mitrës.

Lindjet e shumta e theksojnë këtë ndryshim për shkak të dobësimit të vazhdueshëm të muskujve të dyshemesë së pelvikut dhe të vagjinës.

2. Procesi i plakjes

Me kalimin e viteve ndërsa kalojmë procesin normal të plakjes, trupi fillon të humbasë kolagjenin dhe elastinën, të cilat janë përbërës të rëndësishëm të indeve lidhëse në muskujt e dyshemesë së legenit. Si pasojë humbet elasticiteti i vagjinës dhe vjen deri te zgjerimi i saj.

3. Nivelet e estrogjenit

Krahas me moshën bie edhe niveli i estrogjenit gjë që ndikon pashmangshëm në uljen e elasticitetit dhe rrjedhimisht edhe në zgjerimin e vagjinës. Estrogjeni bie sa më shumë që afrohet menopauza si dhe në menopauzë, por ka edhe disa gjendje mjekësore të cilat bëjnë që estrogjeni në organizëm të bie.

Zakonisht ekziston bindja e gabueshme që marrëdhëniet seksuale bëjnë që vagjina të jetë më e gjerë. Marrëdhëniet e shpeshta seksuale ose partnerët e shumtë seksualë nuk rrisin rrezikun e zgjerimit të vagjinës.

Cilat janë problemet që lidhen me vagjinën e zgjeruar?

Vagjina është organ i brendshëm gjenital dhe për këtë arsye nuk është i dukshëm, ndryshe nga (buzët) labiat e jashtme. Rrjedhimisht, gratë nuk do të jenë në gjendje të përcaktojnë nëse kanë një vagjinë të lirshme vetëm nga inspektimi vizual

Ekzistojnë një numër simptomash klinike që lidhen me vagjinën e zgjeruar, të cilat bëjnë që një grua të ketë probleme të ndryshme që pasohen me ulje të vetëbesimit dhe mund të ketë një efekt negativ në jetën e përditshme.

Simptomat e zakonshme përfshijnë:

A. Mospërmbajtje e urinës

Relaksimi i muskujve të dyshemesë së pelvikut mund të ndikojë në funksionin e fshikëzës urinare duke shkaktuar pamundësinë e mbajtjes së urinës sidomos në situata si kollitja, teshtitja, ngritja e një peshe etj. Simptomat mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në cilësinë e jetës së një gruaje dhe në raste të rënda, mund të çojnë në disbalans psikologjik..

B. Descensusi (rënia) i mitrës

Descensusi i referohet gjendjes ku një ose më shumë organe të pozicionuara në legen, si fshikëza, zorrët ose vetë mitra bëhen anormalisht të lëvizshme dhe fillojnë të migrojnë poshtë nga pozicioni i tyre normal anatomik. Në këto raste mitra del jashtë në vagjinë. Ka disa shkallë të ndryshme të prolapsit të organeve të legenit, dhe gradimi është nga 1 në 4. Në rastet e prolapsit të organeve të legenit, gratë mund të kenë dhimbje dhe parehati dhe kjo mund të çojë në një ndikim negativ në cilësinë e jetës dhe aktivitetet e përditshme, por fatmirësisht, gjendja nuk është e rrezikshme ose kërcënuese për jetën.

C. Ndjesia e zvogëluar seksuale

Shumë gra vërejnë se gjatë marrëdhënieve seksuale kanë një ndjesi të reduktuar në vagjinë pas lindjes së fëmijës. Simptomat mund të përkeqësohen nëse gratë kanë pasur lindje traumatike që kërkon qepje kirurgjike, të cilat mund të ndihen gjatë marrëdhënies seksuale, duke çuar në dhimbje dhe parehati të konsiderueshme.

Ekzistojnë mënyra të ndryshime për trajtimin e këtij problemi.

Intervenimi operator për ngushtimin e vagjinës ose vaginoplastika

Në rastet ushtrimet e muskujve të dyshemesë së legenit dhe trajtimi me laser nuk ndikojnë, trajtimi më i mirë në këto raste është operacioni për ngushtimin e vagjinës e cila njihet edhe si vaginoplastika.

Kjo procedurë kirurgjikale synon të shtrëngojë muskujt e legenit dhe indet mbështetëse përreth për të përmirësuar forcën dhe tonusin e vagjinës, gjë që ndihmon në përmirësimin e ndjeshmërisë.

Operacioni kryhet me procedurë të veçantë me përdorimin e suturave të absorbueshme për të rindërtuar në mënyrë kirurgjikale muskulin e vagjinës. Çdo ind i tepërt hiqet më pas, duke çuar në një përmirësim si në pamjen ashtu edhe në funksionin e vagjinës.

Për gratë që kanë pasur lindje traumatike (me epiziotomi ose ruptura të thella) që çon në dëmtim të zonës perineale, mund të ketë nevojë edhe për perineoplastikë (korrigjimin e plotë si të perineumit ashtu edhe të muskujve më të thellë të dyshemesë së legenit që rrethojnë vagjinën).

Ekziston edhe opsioni i mëtejshëm i përtëritjes vagjinale që përfshin një kombinim trajtimesh për të përmirësuar pamjen dhe funksionin e zonës gjenitale femërore.

Procedurat e zakonshme që përdoren për përtëritje vagjinale përfshijnë labiaplastikën, vaginoplastikën dhe riparimin e dyshemesë së legenit. Labiaplastika njihet gjithashtu si reduktimi i labisë dhe është një procedurë kirurgjikale e krijuar për të zvogëluar madhësinë e labive të mëdha e cila mund të kryhet për shkaqe estetike ose funksionale.

Gratë janë në gjendje të zgjedhin një kombinim të procedurave për t’u dhënë atyre përtëritjen më të mirë vagjinale. /Telegrafi/

Exit mobile version