Gjermania është një nga vendet më të zhvilluara në botë, por gjendja e internetit nuk është në të njëjtin nivel. Sipas Agjencisë Federale të Rrjetit, ofruesit shumë shpesh u japin klientëve më pak sesa kishin arritur një marrëveshje dypalëshe.
Që nga dhjetori, përdoruesit e internetit mund të kërkojnë ulje të faturave të tyre nëse vërtetojnë se rrjeti është më i ngadalshëm nga sa është rënë dakord. Deri më tani rreth 15 mijë persona kanë kërkuar matje, njoftoi agjencia e pyetur nga dpa.
Në “pothuajse çdo rast” protokolli i matjes identifikoi mangësi të mjaftueshme për të ulur faturën. Agjencia nuk merret me shkallën e uljes, sepse është çështje e ofruesve dhe klientëve të tyre.
Kreu i Agjencisë së Rrjetit, Klaus Miller, thotë se është i lumtur që protokolli për matjen e shpejtësisë së rrjedhës, i disponueshëm në breitbandmessung.de, është pranuar mirë.
“Ne po ndihmojmë mijëra konsumatorë të kërkojnë ulje çmimi nga ofruesit e tyre për shkak të detyrimeve të paplotësuara”, tha ai.
Ofruesit në ofertën e paketave specifike përshkruajnë shpejtësinë maksimale, minimale dhe mesatare të transferimit të të dhënave.
Sipas ligjit të ri, ofruesit nuk duhet të lejojnë “devijime të konsiderueshme, të rregullta” nga premtimet. Matja me protokoll ofron bazën ligjore që konsumatori të kërkojë uljen e faturës.
Matjet e normës së fluksit nga vitet e mëparshme treguan gjithashtu një hendek të ngjashëm midis detyrimit kontraktual të ofruesit dhe shërbimit aktual. Megjithatë, vetëm që nga mesi i dhjetorit, matja ka qenë bazë për procedurat ligjore. /Telegrafi/