Site icon Telegrafi

Interesim i madh për minierat e Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, deklaroi se reforma ligjore në fushën e investimeve strategjike do të krijojë klimë sa më të favorshme për investitorët e jashtëm.

Këto komente zv.kryeministri Gashi i bëri në Toronto të Kanadasë, ku një delegacion i lartë i Qeverisë së Kosovës, po qëndron në një vizitë për të prezantuar resurset minerare të Kosovës në konventën më të madhe të Minierave në botë, PDAC 2018.

Gashi, shoqëruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava dhe zyrtarët më të lartë të KPMM-së, në ditën e parë të kësaj konvente kanë mbajtur një prezantim para më shumë se 10 kompani të mëdha, shumica nga Kanadaja, të cilat kanë shprehur interesimin e tyre për investim në sektorin minerar të Kosovës.

“Në kemi një ligj të avancuar për investime strategjike, ligj i cili mbron investitorin e jashtëm i tëri në harmoni me direktivat e Bashkimit Evropian”, theksoi Gashi.

Ai ka përmendur edhe aplikacionin e parë të një kompanie për tu kualifikuar si investitor strategjik me një investim prej rreth 130 milion euro në fushën e energjisë së ripërtërirë.

Gashi po ashtu theksoi se tregu kosovar, posaçërisht ai i fushës së minierave dhe mineraleve është i hapur për botën, dhe presin ofertat nga investuesit e huaj, por edhe partner në zhvillimin e mëtejmë të shtetit të Kosovës.

“Kosova posedon rezervat më të mëdha të linjitit, plumbit dhe zinkut në Evropë. Ju inkurajojmë që të vini të investoni në Kosovë, dhe ju garantojmë se zyra ime, dhe e kolegëve të mi do të jetë gjithmonë e hapur për çfarëdo shqetësimi që mund ta keni. Investimi juaj është i garantuar”, tha Gashi.

Ndërsa, ministri Lluka, prezantoi mundësitë për investime në zonat e veçanta të interesi si Vllahi, Gumnishtë, Karaçë, Baks, Bresalc, Zhegovcë e Deve.

Azem Rexha, anëtar i bordit të KPMM-së, në hollësi tregoi për detajet e mundësive të eksploatimit të minierave që gjenden të këto zona të interesit.

Në seancën për Kosovën, të pranishme ishin kompani edhe nga Kina, Bullgaria, Turqia, Shqipëria, Azerbajxhani dhe Republika Demokratike e Kongos.

Në ditët në vazhdim, zv. kryeministri Gashi do të ketë takime të nivelit të lartë shtetëror të Ontarios, komunitetin e bizneseve si shqiptar në Kanada, por edhe atë kanadez të interesuar për mundësi të investimeve në Kosovë. /Telegrafi/

Exit mobile version